Botë
Thaçi ftoi Kurtin për t’ia dhënë mandatin. LVV: Ftesa erdhi sot për sot, Kurti është i zënë
27.12.2019 18:07
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sot dy herë kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sot dy herë kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, të marrë mandaturën për kryeministër, por Kurti nuk ka mundur të shkojë për të marrë mandatin, pasi ndodhej jashtë vendit.
Takimi ishte thirrur për në orën 13:30 në kabinetin e presidentit Thaçi. Mirëpo, nga Zyra për Informim e Vetëvendosjes thonë se Kurti e ka të pamundur të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidenti për shkak të agjendës së planifikuar më parë.
Nga Zyra për informim e Vetëvendosjes thonë se: “Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV-së, sot erdhi letra e presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në orën 13:30, me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”,- thonë nga Vetëvendosje.
Ndërkohë, presidenti Thaçi i ka bërë një ftesë të dytë Kurtit për sonte në orën 20. Thaçi njëherit ka apeluar që të mos vonojë formimi i qeverisë së re. Por, Kurti e ka refuzuar edhe ftesën e dytë.
“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte”,- thuhet në një letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi, të cilën e ka publikuar Vetëvendosje.
Mandatimi i Kurtit për formimin e qeverisë së re është hapi i radhës, që parashihet me kushtetutë pas kostituimit të djeshëm të Kuvendit të Kosovës, ku në postin e kryeparlamentarit u zgjodh Glauk Konjufca.
