Maqedoni

Spasovski: Raportet policore edhe në formë elektronike

27.12.2019 18:50

Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ka prezantuar softuerin i cili do të mundësojë...

Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ka prezantuar softuerin i cili do të mundësojë që raportet policore të vendosen në një data bazë elektronike, me çka do të ngushtohet mundësia e keqpërdorimeve gjatë ekspertizave të aksidenteve në trafik.

Spasovski me këtë rast sqaroi se çdo polic gjatë kryerjes së raportit me shkrim në vendin e ngjarjes është i detyruar që brenda turnit në stacionin policor të plotësojë raportin edhe në formë elektronike. Deri më tani kohëzgjatja e raportit mund të zgjaste një apo dy – tre muaj.

“Ky interval kohor ka dhënë mundësi të ketë gabime apo lëshime të qëllimshme apo jo. Përse? Sepse deri më tani ne nuk kemi pasur një sistem të unifikuar që të futen ato të dhëna të mbledhura nga vendi i ngjarjes. Tani, në këtë pjesë mënjanohet të gjitha ato mundësi për çfarëdolloj mungese të një të dhëne të caktuar, me qëllim apo pa qëllim, dhe në këtë mënyrë mundësojmë të kemi një raport të shpejtë”,- theksoi Spasovski.

Nga MPB thanë se sektori i informatikës ka punuar dy vite për këtë projekt të emërtuar “SNEZ”.