Maqedoni

Pendarovski: Emri i Armatës përcaktohet me Kushtetutë

27.12.2019 19:14

Ndryshimi i emrit të Armatës nuk varet nga presidenti apo partitë politike, por është çështje që përcaktohet me kushtetutë, tha presidenti, Stevo Pendarovski...

Ndryshimi i emrit të Armatës nuk varet nga presidenti apo partitë politike, por është çështje që përcaktohet me kushtetutë, tha presidenti, Stevo Pendarovski, i cili shton se përderisa shteti tani quhet Maqedonia e Veriut edhe institucionet shtetërore janë të Maqedonisë së Veriut.
 
Në deklaratat e VMRO- DPMNE-së se ata nuk ndryshojnë qëndrimin për ndryshimin e Ligjin për Mbrojtje, Pendarovski tha se presioni i tyre është i pabazë.
 
“Emri i Armatës si një nga institucionet në këtë shtet është qartë i përcaktuar pas ndryshimit të Kushtetutës. Pra, nëse dikush tani dëshiron ta kontestojë këtë, kjo do të thotë se dëshiron ta kontestojë Kushtetutën dhe ndryshimin e saj ose më saktë thënë nuk e respekton Kushtetutën e vendit. Këtu nuk ka hapësirë për debate të mëtejshme. Në këtë moment, kjo Kushtetutë vlen dhe në të shkruhet se si quhet shteti dhe institucionet kryesore. Nuk shoh hapësirë për kurrfarë negociatash.”,- deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
 
Për ministren e mbrojtjes Shekerinska, argumentet e opozitës nuk mbajnë për shkak se kanë dhënë mbështetje për ligjet nën emrin e shtetit, Maqedonia e Veriut. Mosmbështetja e tyre në Ligjin për Mbrojtje hap dilemën nëse janë por NATO-s apo jo, tha Shekerinska.
 
“Nëse ata këtë e shfrytëzojnë si alibi për mosvotimin e Ligjit për Mbrojtje, mesazhin që do ta përcjellin brenda dhe jashtë është se ata kanë dilema për integrim në NATO. Në çështjen e NATO-s kemi bërë mrekulli dhe nëse kemi kërkuar nga të gjitha shtetet të votojnë protokollin sa më shpejt,  është absolutisht e pafalshme tani kuvendi të mos votojë Ligjin për shkak të një partie. Shpresoj në fund të sundojë logjika.”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Këto komente u thanë në raportin vjetor të gjeneralit të Armatës për gjendjen e gatishmërisë luftarake.
 
Mes tjerash, Pendarovski dhe Shekerinska thanë se Armata është në kondicion të mirë për obligimet dhe përgjegjësitë, ndërkaq theksuan se vendin e presin edhe shumë punë të tjera, pasi të bëhet anëtare fuqiplote e NATO-s.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU