Botë

Stamboll, 8 vjet burg për të deportuarin nga Kosova

27.12.2019 20:42

Gjykata e Lartë Penale, në Stamboll, ka dënuar me 8 vjet e një muaj burg, Kahraman Demirezin...

Gjykata e Lartë Penale, në Stamboll, ka dënuar me 8 vjet e një muaj burg, Kahraman Demirezin, shtetasin turk i cili ishte deportuar nga Kosova në marsin e vitit 2018.

Siç shkruajnë mediat turke, Demirez është dënuar për pjesëmarrje në një grup të organizuar terrorist. Një akuzë të tillë e ka mohuar Demirez, i cili ishte një prej 6 personave të cilët u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan përmes aeroportit të Prishtinës në bashkëpunim me inteligjencën shtetërore turke.

Prokuroria e Stambollit, gjithashtu, kishte kërkuar që Demirez të dënohet edhe për spiunazh ndërkombëtar, megjithatë në seancën e mbajtur të enjten ai është liruar nga një akuzë e tillë.

Po ashtu një gjykatë turke u shqiptoi dënimin me burgim gjashtë gazetarëve dhe një punonjëse të financave në mediumin opozitar Sozcu, nën akuzat se kanë ndihmuar në orkestrimin e grushtshtetit të dështuar në vitin 2016. Gazeta Sozcu, e përshkroi aktgjykimin si një shenjë të zezë në historinë e shtypit të lirë.

Të tetë të pandehurit e pranishëm në seancën gjyqësore kërkuan të shfajësohen nga akuzat. Ankaraja ka shënjestruar në vazhdimësi, përkrahësit e dyshuar të Fethullah Gulenit, një klerik mysliman me bazë në SHBA, që nga përpjekja për atë që autoritetet turke e quajnë tentim grusht-shteti, në korrik 2016, në të cilën u vranë rreth 250 njerëz.

Gulen, i cili ka jetuar në mërgim të vetë-imponuar në Pensilvani që nga viti 1999, mohon çdo përfshirje në grushtshtet.