Botë

Beograd, përleshen deputetët në Kuvendin serb

27.12.2019 21:09

Incidenti në Kuvendin e Malit të Zi reflektoi edhe në Kuvendin e Serbisë...

Incidenti në Kuvendin e Malit të Zi reflektoi edhe në Kuvendin e Serbisë, ku deputetët e opozitës nga partia Dveri, Boshko Obradoviq dhe Ivan Kostiq, hynë në sallën e Kuvendit duke mbajtur pankarta në duar në të cilat shkruhej: “Milo, hajdut, nuk t’i japim gjërat e shenjta” dhe “Serbi, pse po hesht?”.

Veprimi i deputetëve opozitarë serbë kishte të bënte me faktin se Serbia nuk është përgjigjur ende ndaj miratimit të një ligji për komunitetet fetare në Malin e Zi, i cili ka ngritur shqetësime se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë në pronat që administron.

Deputetët e parlamentit serb kërkuan një seancë të jashtëzakonshme për situatën në Mal të Zi. Më pas pati një konfrontim fizik me deputetët e shumicës në pushtet.

Obradoviq u ndal para kryesuesit të seancës dhe pyeti deputetët "nëse ata mbështesin rrëmbimin e kishave dhe manastireve serbe dhe arrestimin e deputetëve në Mal të Zi".

Atij iu afrua kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Martinoviq, dhe deputetë tjerë të shumicës parlamentare, duke u shkaktuar më pas edhe përleshja fizike.

Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviq, u kërkoi deputetëve të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos përgjigjen ndaj asaj që ajo e quajti provokim nga ana e Boshko Obradoviq. Duke mos lejuar intervenimin e sigurimit kryetarja e kuvendit e ndërpreu seancën.