Qeveria teknike, VMRO prezenton kandidatin për ministër të brendshëm
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovki ka prezentuar kandidatin për ministër të brendshëm....

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovki ka prezentuar kandidatin për ministër të brendshëm i cili duhet të jetë në qeverinë teknike para kreut të LSDM-së Zoran Zaev dhe atij të BDI-së Ali Ahmeti.
Mickovski pa e zbuluar emrin e tij tha se bëhet fjalë për kuadër profesional dhe sipas tij në parim nuk ka hasur kundërshtime nga bashkëbiseduesit.
“Biseduam për emrin, i prezentuam biografinë dhe në interes të konsultimeve plotësuese që Zaevduhet t’i zhvillojë unë nuk do ta zbuloja propozimin tonë. Bëhet fjalë për person të ri në politikë, njeri profesionist me një karierë të pasur në shërbimin ku ka qenë i angazhuar deri më tani dhe jemi të bindur se do të jetë një vlerë e shtuar për sigurinë në vendin tonë” - u shpreh Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ndërkohë Zaev tha se nuk janë kundër kandidatit të propozuar nga VMRO-DPMNE por pret që të konsultohet me ekspertë për të sqaruar nëse kandidatura e tij është në përputhje me kushtetutën pasiqë bëhet fjalë për një ushtarak.
“Për ministër të brendshëm është propozuar një ushtarak dhe që këtu vjen hamendja nëse kushtetuta në përputhje me nenin 97, ligji për shërbim në armatë dhe ligji për punë të brendshme e lejon. Për shkak të kësaj ne do të konsultohemi me ekspertët e qeverisë por ftojmë edhe opinionin që të japin qëndrimin e tyre. Mirë është që në mënyrë transparente t’i qartësojmë këto punë. Është propozuar ushtarak ku kushtetuta qartë thotë se me mbrojtjen dhe policinë udhëheq person që ka qenë civil së paku 3 vjet” – deklaroi Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga BDI thonë nuk do kundërshtojnë kandidatin e propozuar nga VMRO-DPMNE nëse ai është i pranueshëm edhe për partnerin e koalicionit LSDM.
“Më bëri përshtypje që kandidatin që kishin përzgjedhur ishte një kandidat me një biografi mjaft të begatë dhe do të jetë për mendim timin nëse dakordohen edhe me partinë në pozitë, do të jetë një kandidat me një eksperiencë të re që mendoj se do të ishte mirë për ministrinë e punëve të brendshme” – tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Zaev, Mickovki dhe Ahmeti nuk janë shprehur kundër përfshirjes së opozitës shqiptare në qeverinë teknike. Gjatë takimeve është folur edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhorë por pa gjetur gjuhë të përbashkët. Ahmeti tha se tani nuk është koha për ta hapur këtë temë ndërsa Mickovski ka kërkuar nga Zaev që kjo temë të hapet menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve. (Naim Ramadani, TVM2)
