Zoran Zaev: Nuk do të ketë ndrrim të pushtetit

29.12.2019 18:46

Kryeministri Zoran Zaev nuk beson se pas zgjedhjeve të 12 prillit mund të ketë ndryshim të pushtetit....

Kryeministri Zoran Zaev nuk beson se pas zgjedhjeve të 12 prillit mund të ketë ndryshim të pushtetit, sepse siç thotë ai në një intervistë për Agjencinë e lajmeve  MIA-nuk do të lejojë, të kthehet regjimi.

“Së pari, ndryshim të pushtetit nuk do të ketë. Kur e them këtë, nuk e them nga pozita e shqetësimit partiak të fitojmë edhe katër vite. E them sepse kam përgjegjësi të plotë -të mos lejoj të kthehet regjimi. Kuptohet, qytetarët në zgjedhje të lira do të sjellin vendim, por unë më se fuqishëm do të luftoj dhe do të angazhohem të tregoj në mënyrë më plastike, më ilustrative, më dramatike çka do të ndodhë nëse kthehet regjimi” – tha Kryeministri, Zoran Zaev.

Hristijan Mickovski: Kemi sistem të shkatërruar

Kreu i VMRO-DPMNE-së për agjencinë e lajmeve MIA ka theksuar se institucionet në vend nuk ngjallin besim tek qytetarët, andaj  edhe nevojitet qeveria teknike, e cila duhet të sigurojë ambient minimal për deklarim demokratik.

“Kemi sistem të shkatërruar, gjyqësi dhe prokurori e cila është nën këmbën e pushtetit, si dhe institucione të cilat janë në telekomandë nga selia e partisë në pushtet.Dy proceset e fundit zgjedhore, referendumi dhe zgjedhjet presidenciale nuk janë diçka për të cilat pushteti shkëlqeu, si për mënyrën e organizimit  ashtu edhe për faktin që nuk ka kurfarë sanksioni juridik për  kundërvajtësit e as ndërkaq korrigjime të lëshimeve.” – është shprehur Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ali Ahmeti: Shoqërisë nuk duhet ti kthehet e shkuara

Në intervistën për MIA-n  kreu i BDI-së, ka theksuar se shoqëria jonë duhet të tregojë gadishmëri për të tejkaluar atë që i ka ndodhur vendit në të shkuarën

“Ne si subjekt asnjëherë nuk kemi bërë fushatë negative, bomba, lajme të rreme, por kemi qenë dhe ende jemi subjekt i propagandës dhe i lajmeve të rreme. Do të dalim me një parti plotësisht të reformuar dhe një program krejt të ri, modern dhe të guximshëm në mënyrë që të rimarrim besimin e qytetarëve” – ka theksuar Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Zaev, Mickovski dhe Ahmeti kanë folur edhe për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve. Ata janë shprehur për bashkpunim teksa Ahmeti thekson se nuk do të koalicionojnë me ata që duan shfuqizimin e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë. (Naim Ramadani, TVM2)