Maqedoni

Prioritet i RMV-së në NATO, Trajanov: Emërimi i Kovaçkit, militarizim i shtetit

30.12.2019 16:31

Për Maqedoninë e Veriut si anëtare “defakto” e NATO-s, është e papranueshme të ketë ministër teknik nga radhët e Armatës...

Për Maqedoninë e Veriut si anëtare “defakto” e NATO-s, është e papranueshme të ketë ministër teknik nga radhët e Armatës, vlerëson ish ministri i brendshëm, Pavle Trajanov.
 
Në debatin me temë “Hapat e ardhshëm pas anëtarësimit në NATO”, Trajanov tha se kjo do të paraqiste militarizim të shtetit.                         
                                                    
“Një nga reformat kyçe që kishte shteti, ishte të vendoset kontrolli civil mbi Armatën, shërbimet e sigurisë dhe MPB-së. Unë tani nuk mund të pranoj në këtë kohë kur Maqedonia është veç më “defakto” anëtare e NATO-s, të propozohet ministër për punë të brendshme një oficer. Kjo paraqet përpjekje për militarizim të shtetit.”,- deklaroi koordinatori nacional kundër katastrofave, Pavle Trajanov.
 
Bogoevski: Profesionalizmi, mbi interesat e ngushta
 
Për Petar Bogoevskin, kryetar i Unionit të Federalistëve Europianë, parimore me inkuadrimin në NATO duhet të jetë profesionalizmi para interesave të ngushta që në të ardhmen shteti më lehtë të përballet me vendimet e Aleancës. 
                                                                                          
“Për këtë do të duhet të përgatitet edhe opozita, e cila ka dëshirë që një ditë të jetë strukturë drejtuese, pasi që përfaqësuesit e opozitës do të duhet të jenë më përgjegjës se një ditë edhe ata do të ulen në këshillin e NATO-s.”,- theksoi kryetari i Unionit të Federalistëve Europianë, Petar Bogoevski.                   
           
Sulejmani: I rëndësishëm pozicionimi transatlantik
                                                    
Rizvan Sulejmani, prorektor në Universitetin “Nënë Tereza”, propozon që në këto zgjedhje të hapet debati për pozicionet në drejtim të mbrojtjes së interesave shtetërore, duke pasur parasysh rrethanat gjeostrategjike të vendit, ku kryqëzohen civilizime të ndryshme.                 
                             
“Cili është interesi i Maqedonisë së Veriut në këtë moment, nëse ne duam të jemi anëtarë të BE-së ndërkaq nga ana tjetër jemi në pozitë ku vija transatlantike është tejet me rëndësi nga ndikimet kulturore, religjioze dhe gjithmonë një fuqi jashtë rajonit dhe Europës është më neutrale dhe më e fuqishme ndaj këtyre ndikimeve.”,- u shpreh prorektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Rizvan Sulejmani.
 
Nënkryetari i parlamentit, Zekir Ramçilloviq, ftoi VMRO-DPMNE-në të zhbllokojë miratimin e Ligjit për Armatën, nëse me të vërtetë dëshiron anëtarësimin e plotë të vendit në NATO.
 
Debati u organizua nga Asociacioni maqedono - amerikan dhe Unioni i Federalistëve Europianë në Maqedoni. 
 
MERAL ISMAILI