Maqedoni
Carovska: Subvencionimi i kontributeve ka dhënë rezultate
30.12.2019 17:34
Rritja mesatare e pagave nga masa qeveritare për subvencionim të kontributeve në sektorin real kap shifrën e 4100 denarëve. ...

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, thotë se 44.940 të punësuarve, apo 9 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin real, u është rritur rroga nga zbatimi i masës së subvencionimit të kontributeve. Synohet që rritje të pagave t’u realizohen mbi 20 për qind të të punësuarve.
“Masa për subvencionimin e kontributeve ka dhënë rezultate të shkëlqyeshme , vetëm për një muaj në fuqi të kësaj mase 44.940 të punësuarve në sektorin real u është rritur rroga. Mendoj që trendi i rritjes së pagave do të vazhdojë nga realizimi i masës së subvencionimit të kontributeve. Presim që muajin e ardhshëm të realizohen parashikimet tona dhe 20 për qind e të punësuarve në sektorin real të kenë rritje të rrogave.”,- deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.
Llukarevska: Mënyrë e lehtë e aplikimit për subvencionim të shpejtë
“Përvoja e deritanishme me paraqitjen e kërkesave nga punëdhënësit është shumë e mirë dhe marrim reagime pozitive për mënyrën e lehtë dhe të shpejtë të aplikimit. Punëdhënësit po bëjnë kërkesë për subvencionim mbi kontributet përmes Llogaritësit të Pagesave të Integruara Mujore. Do të doja t'ju kujtoja se edhe pagesa e pagave minimale, për të cilat kontributet paguhen në bazën më të ulët për llogaritjen e kontributeve, gjithashtu janë marrë parasysh.”,- theksoi drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska.
Nga Organizata e Punëdhënësve pohojnë se ende ka raste kur punëdhënësit paguajnë me para në dorë, por ky fenomen thonë se ekziston tek punët sezonale dhe se është në përgatitje e sipër zgjidhja ligjore. Masa e qeverisë për subvencionim të kontributeve, e cila do të vazhdojë për 3 vjet, ka ndarë 40 milion euro.
GAZMEND REXHEPI
