Maqedoni

Burgu i Shutkës, Rahiq: Legalizuam objektin dhe përmirësuam kushtet

30.12.2019 18:00

Shtëpia përmirësuese ndëshkuese në Shutkë, pas më shumë se 50 viteve ekzistim...

Shtëpia përmirësuese ndëshkuese në Shutkë, pas më shumë se 50 viteve ekzistim, arriti ta legalizojë objektin e saj dhe të posedojë fletëpronësi.
 
Kështu deklaroi drejtori i burgut, Esad Rahiq, në prezantimin e punës së tij në gjashtëmujorin e fundit sa është në funksionin e drejtorit të këtij institucioni.
 
Ai thotë se në këtë burg dukshëm janë përmirësuar kushtet dhe se në kontinuitet punohet në këtë drejtim.
 
Rahiq sqaroi se në burg janë instaluar pajisje me të cilën prodhohet rrymë për ujë të ngrohtë, janë duke u rinovuar qelitë, banjot dhe kulmi i burgut, izolime për efikasitet elektrik, punohet për kanalizimin fekal, gazifikimin brenda burgut, si dhe renovimin e ambulancës, ndërsa do të ketë edhe dhoma për lutje.                                   
 
“Si e para është rregulluar fletëpronësia dhe në bazë të kësaj fletëpronësie që e morëm me ndihmën e Kadastrës dhe sekretarit të Qeverisë realizuam supozim që të fillojmë edhe operativën ndërtimore. Kur të vini në institucion që ekziston për 50 vite ndërsa shumë pak është investuar, kushtet ishin të këqija, megjithatë atë jemi duke e përmirësuar dhe një pjesë e kushteve janë përmirësuar dhe do të jenë edhe më mirë.”,- tha drejtori i burgut të Shutkës, Esad Rahiq.         
                                        
Sa i përket telefonave celularë ilegalë të cilat i posedojnë të burgosurit dhe me këtë rritjen e rrezikut nga korrupsioni brenda burgut, Rahiq tha se për t’u ballafaquar me këtë problematikë është e nevojshme instalimi i centralit dhe foltores ku bisedat do të incizohen, ndërsa të burgosurit të njëjtën do të mund ta shfrytëzojnë me paralajmërim.
 
Rahiq tha se sfidë më të madhe e ka pengimin e futjes së drogës në këtë institucion.                           
                                                                    
“Kriminelët e vërtetë gjithmonë do të gjejnë zgjidhje, për këtë kam biseduar edhe me drejtorë të tjerë të këtyre institucioneve jashtë vendit dhe e kanë këtë problem. Në mënyrë maksimale mundohemi ta luftojmë atë, megjithatë gjithmonë do të ketë. Një pjesëtar i policisë së burgut që është për këtë çështje është përjashtuar nga puna, ndërsa 2 të tjerë janë suspenduar. Ne mundohemi maksimalisht të pengojmë sistemin e korrupsionit, por besoni se telefonat nuk janë e keqja më e madhe, por përmendët edhe diçka tjetër dhe qëllimi im kryesor është ta pengojmë atë.”,- tha drejtori i burgut të Shutkës, Esad Rahiq. 
 
Rahiq tha se në suaza të burgut të Shutkës ka dy ndërrime të ambulancës, ndërsa në bazë të nevojës kanë bashkëpunim me ndihmën e shpejtë.
 
Sa i përket sistematizimit të të burgosurve në reparte, Rahiq tha se ajo brenda institucionit ka shërbim për resocializim dhe pjesëtarë të policisë së burgut në bazë të CV-së dhe veprës penale i shpërndajnë.
 
Ai tha se ish prokurorja speciale, Katica Janeva, nuk ka qenë në Repartin e Hagës, ndërsa Jovanovski është atje për arsye tjera. Ai njëherit njoftoi se për 30% janë rritur pagat e punonjësve në burg. 
 
Numri i pjesëtarëve të policisë brenda burgut që do të kujdeset për të burgosurit për shkak të pensionimit për momentin do të zvogëlohet në 95, ndërsa paralajmëroi punësime të reja për të arritur numrin e 135 të punësuarve me çka sipas tij është e mjaftueshme për kujdesin e 350 të burgosurve që ka ky institucion.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI