Maqedoni

Formati i qeverisë teknike, VMRO s’heq dorë nga Kovaçki

30.12.2019 18:27

Paqartësia rreth ministrit teknik për punë të brendshme do të mbetet deri në ditën e fundit....

VMRO DPMNE nuk ka propozim të ri për këtë post, veç kolonelit, Dragan Kovaçki, i cili kontestohet nga koalicioni i kryesuar nga LSDM, pasi propozimi i një ushtaraku në krye të MPB-së është në kundërshtim me Kushtetutën. Megjithatë, VMRO DPMNE nuk sqaron nëse kjo zgjedhje që bie ndesh me kushtetutën është bërë me vetëdije ose nga neglizhenca.
 
“Unë nuk jam këtu që të komentoj kushtetutën por, që të përcjell informacione dhe ky është informacioni. Por një gjë është e qartë, LSDM ka frikë nga një profesionist, nga një njeri cilësor, i cili mund të tërheq cilësi dhe profesionist në punën e MPB. Do të përkrahim çdo gjë që do të arrihet përmes marrëveshjes.”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
 
Mirakovska: S’votojmë kundër Kushtetutës
 
Mirëpo, shumica parlamentare ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do të përkrah një propozim që është në kundërshtim me kushtetutën.  
 
“Nuk do të votojmë për propozimin e mundshëm që kolonel armate të jetë në krye të MPB. Pa ndërhyrë në biografinë e Dragan Kovaçkit, konsiderojmë se është e palejueshme, që ai që ka detyrim të mbrojë kushtetutën, ligjet dhe sigurinë në 100 ditët e ardhshme, deri në zgjedhjet, të votohet duke shkelë kushtetutën.” ,- theksoi  deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovska.
 
Në ndërkohë, VMRO DPMNE publikoi kandidatët për funksionet tjera në qeverinë teknike, konform Ligjit për Qeveri. 
 
Mickovski propozon që pasardhës i Milla Carovskës në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale të jetë Rashella Mizeahi, doktor shkence i biokimisë. Ndërkaq, në tre postet e zëvendësministrave, propozohen: Nena Stamenkovska, zëvendësministre në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, Gordana Dimitrovska, zëvendësministre në Ministrinë e Financave dhe Cvetan Tripunovski zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë. Përkundër mospajtimit për kandidatin për ministër të brendshëm, palët vazhdojnë të jenë dakord që zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 12 prill.   
 
SHPËTIM NUREDINI