Botë
Fyle, në Tiranë bashkon në një tryezë pozitën dhe opozitën
29.09.2014 14:35
Eurokomisari Fyle, ka mbërritur sot në Tiranë. Në tryezën e katërt të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE...

Eurokomisari Fyle, ka mbërritur sot në Tiranë.
Në tryezën e katërt të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE, në kuadër të hapave të Shqipërisë drejt integrimit në familjen evropiane, Fyle ka bashkuar në një vend pozitën dhe opozitën shqiptare.
Sundimi i ligjit, reforma në gjyqësor dhe administratë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimi i deritanishëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe zhvillimet ekonomike në vend janë fushat kryesore që pritet të diskutohen sot në tryezën që ul pas shumë kohësh bashkë opozitën dhe mazhorancën.
Ndërkohë që një vlerësim për arritjet e qeverisë pritet që të jepet nga Komisioni Evropian, më 8 tetor, në progres-raportin që do të jepet për Shqipërinë.
Takimet e eurokomisarit Fyle kanë nisur që në mëngjes me kryeparlamentarin, Ilir Meta. Menjëherë më pas, në zyrat e BE-së në Tiranë, Fyle ka biseduar me kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha dhe me kryeministrin, Edi Rama.
Pasdite, Fyle dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Teksa në agjendën e eurokomisionerit Fyle, i cili vjen për herë të fundit në këtë post në Shqipëri, janë planifikuar takime me drejtues të partive politike në vend apo dhe me kreun e kuvendit, nuk duket të jetë planifikuar një takim me kreun e shtetit, Bujar Nishani.
Pjesëmarrja e presidentit Nishani në SHBA, në aktivitetin e OKB-së, mund të jetë arsyeja e mosplanifikimit të një takimi mes tyre.
