Maqedoni

Zjarri në Spitalin “8 shtatori”, nuk ka dëme në njerëz e dokumente, hetohen shkaqet

31.12.2019 11:23

Zjarri që mbrëmë përfshiu zyrën e arkivit të Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 shtatori” në Shkup...

Zjarri që mbrëmë përfshiu zyrën e arkivit të Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 shtatori” në Shkup, nuk ka shkaktuar pasoja në njerëz e as nuk ka bërë dëm në dokumentacionin e rëndësishëm të këtij spitali, i cili në pajtim me rregullat duhet të jetë i arkivuar dhe të ruhet.
 
“Lidhur me incidentin e djeshëm – zjarr në hapësirën me material të arkivuar, të Spitalit “8 shtatori” - Shkup, e njofton opinionin se në hapësirë kanë qenë dokumentet e vjetra disa dekada dhe të cilat tani më ishin lëndë e procedurës së shkatërrimit të arkivuar. Në zjarr nuk është shkatërruar asnjë dokument i cili sipas rregullave duhet të jetë i arkivuar dhe të ruhet me afatin e paraparë ligjor.”,- theksohet në kumtesën e Spitalit.
 
Arsyet e zjarrit ende janë të panjohura, thonë nga Ministria e Shëndetësisë nga e cila presin që hetimi të tregojë se si shpërtheu zjarri në zyrat e arkivit. Për shuarjen e zjarrit ka intervenuar Brigada për Mbrojtje nga Zjarret e Qytetit të Shkupit me dy automjete dhe pesë zjarrfikës.
 
BELINDA KOKA ADEMI