Botë

Obama: Nënvlerësuam kërcënimin e ISIS-it

29.09.2014 14:41

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara...

Presidenti amerikan, Barack Obama,  ka thënë se shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, fillimisht i kishin nënçmuar aktivitetet e militantëve të Shtetit Islamik brenda Sirisë. Gjatë intervistës së tij për rrjetin televiziv “CBS”, Obama është shprehur se “kaosi në luftën civile” në Siri u ka lejuar militantëve që të krijojnë avantazh.
 
“Gjatë disa viteve të kaluara, në kaosin e luftës civile siriane, ku ju esencialisht keni territore të mëdha të vendit, krejtësisht të paqeverisura, ish-luftëtarët e Al-Kaidës ishin në gjendje të ripërtërihen dhe të krijonin avantazh nga ai kaos dhe se Shtetet e Bashkuara e kishin mbiçmuar aftësinë e ushtrisë së Irakut për t’i luftuar grupet militante”- tha Obama.
 
Obama, e ka cilësuar Sirinë si “terren zero” për xhihadistët në të gjithë botën. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara i kanë zgjeruar sulmet ajrore kundër caqeve të militantëve edhe në Siri.
 
Më herët, Uashingtoni i pat filluar sulmet ajrore kundër caqeve të militantëve të Shtetit Islamik në Irak.
 
Militantët e Shtetit Islamik i kanë vrarë mijëra njerëz dhe qindra-mijëra të tjerë i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, derisa i kanë okupuar pjesë të gjëra të territoreve në Irak dhe Siri.