Maqedoni

Festimet e Vitit të Ri, 29 persona në Toksikologji, e kishin tepruan me alkool

01.01.2020 12:40

Në Klinikën e Toksikologjisë mbrëmjen e ndërrimit të moteve janë pranuar 29 persona të alkoolizuar...

Pacienti më i ri ishte i moshës 14 vjeçare. Mjekët thonë se nuk kishte raste të komplikuara dhe pas disa orëve janë lëshuar në shtëpi. Toksikologët potencojnë se për fat të mirë, nuk ka pasur pacientë me mbidozë me substanca psikotrope.
 
“Në Klinikën e Toksikologjisë janë kontrolluar 29 persona nën ndikim të alkoolit, ku pacienti më i ri ishte i moshës 14 vjeçare dhe më i moshuari 63 vjeç. Këtë vit nuk kemi pranuar pacientë me mbidozë nga substancat narkotike, as edhe të atyre në koma. Pas disa orëve trajtim në Klinikë, pacientët i lëshuam në shtëpi.”,- deklaroi Irina Jurukov nga Klinika e Toksikologjisë.
 
Lëndime nga fishekzjarrët dhe në aksidente
 
Edhe mjekët e Qendrës urgjente kishin mjaft punë në mbrëmjen më të hareshme të vitit. Ata pranuan pacientë të lënduar me mjete piroteknike apo në aksidente trafiku. Madje as në ditën e festës nuk munguan zënkat familjare.
 
“Gjatë 24 orëve në Qendrën kirurgjike u kontrolluan 105 pacientë, nga të cilët 13 u pranuan në qendrat kirurgjike, 6 ishin të lënduar në aksidente trafiku, 3 pacientë ishin të lënduar nga mjetet piroteknike dhe një pacient u transferua në Spitalin e përgjithshëm “8 shtatori”, që ishte i lënduar nga gjësende shtëpiake gjatë një grindjeje familjare.”,- tha drejtori i Qendrës urgjente, Albert Lleshi.
 
Në punë ishin edhe zjarrfikësit. Brigada Territoriale Zjarrfikëse e Qytetit të Shkupit gjatë natës së Vitit të Ri ka pasur tetë intervenime, të cilat përfunduan me sukses. Është shkaktuar dëm material, ndërsa vetëm në një rast është lënduar një person, i cili, sipas të gjitha gjasave, ka përdorur mjete piroteknike pa kujdes.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI