Maqedoni

Ndihmoni në 071 986 039, familja Halimi nga Manastiri pret ndihmën tonë

01.01.2020 13:29

Thonë se atje ku hyn varfëria, bën mirë të hapësh derën edhe për gjithçka tjetër....

Këtë më së miri këtë fillimviti e ka përjetuar familja Halimi nga fshati Armatush i Manastirit. E jo vetëm në këto ditë festive, ata varfërisë e mjerimit kanë kohë që “ia kanë hapur derën”. Në fshatin e tyre nuk kishin as kushte elementare, prandaj u detyruan të shpërngulen në Manastir me shpresë për një jetë më të mirë. Por, kanë 2 vite që presin, e jeta e mirë nuk po duket. Varfërisë i shtohet edhe sëmundja e fëmijës së tyre. 
 
“Jeta jonë është shumë e vështirë, paguajmë qira 5 mijë denarë. Burri ku ka punon, ku jo, fëmija kërkon… Në fshat e kishim të vështirë sepse nuk kishim mundësi fëmijën ta çojmë në spital, edhe thamë - do të dalim në qytet. Por këtu më afër por me qira, me problem, burri kur ka punon.”,- u shpreh Haxhere Halimi.
 
Nebia 20-muajshe ka nevojë për terapi specifike që të ecë, por prindërit e saj nuk kanë para për ta dërguar në kontrolle shtesë. 
 
“Nëse ia vazhdojmë terapitë, mjekët thonë se ka shpresë të ecë, si të gjithë fëmijët e tjerë, nëse nuk ia vazhdojmë terapitë, ajo nuk do të mund të ecë.”,- u shpreh Haxhere Halimi.
 
Ata presin me ankth çdo fillim-muaji trokitjet në derë të pronarit të shtëpisë të cilit duhet t’ia paguajnë qiranë. Kanë nevojë për çdo lloj ndihme, edhe financiare, por edhe për lutjet e të gjithëve, ndoshta për të pasur një vit të ri më të mirë se të gjitha vitet e kaluara në skamje.
 
HAMIDE EMINI