2020-a erdhi, ligjet hyjnë në fuqi nga 1 janari

01.01.2020 16:01

1 janari i 2020 sjell edhe ligje të reja që hyjnë në fuqi....

1 janari i 2020 sjell edhe ligje të reja që hyjnë në fuqi prej sot e që janë në dobi të qytetarëve. Prej sot do të rritet niveli i kontributeve që punëdhënësit duhet ta paguajnë për punëtorët e tyre.

Për sigurim pensional do të paguhet 18.8% të pagës bruto, ndërsa për sigurimin shëndetësor 7.5 %, pra 1% më shumë se në vitin 2018. Sot hyjnë në fuqi edhe ndryshimet ligjore për tatimin e makinave.

Kjo masë bëhet për të ulur importin e makinave të vjetra, si dhe ndotjen e ajrit. Me këtë ligj të ri do të rriten tatimet për importin e makinave më të vjetra, të cilat nuk i plotësojnë standardet për ndotjen e ajrit.

Prej sot hyjnë në fuqi edhe ndryshimet në Ligjin e Taksës mbi të Ardhurat Personale, me të cilat do të shfuqizohet taksa progresive e të ardhurave personale. Gjithashtu prej sot do të rritet edhe pragu i TVSh-së, nga një milionë në dy milionë denarë.

Nga dita e sotme lirohen nga dogana dërgesat që nuk do t’i tejkalojnë shumën e 90 eurove.

Mbi 32 mijë të punësuar në arsim prej sot do të marrin paga më të mëdha për 10 për qind. Po ashtu një nga masat është rritja e nivelit të pagesave me para në dorë apo “cash” nga 500 euro në 3000 euro.

Nga 1 janari, hyn në fuqi Ligji i ri i Akcizave, i cili parashikon legalizimin e prodhimit dhe shitjen e rakisë vendore. (Adnan Hajdari, TVM2)