Papa Françesku: Dhuna ndaj gruas, mëkat ndaj perëndisë
Në meshën e parë të 2020-s, Papa Françesku...

Në meshën e parë të 2020-s, Papa Françesku dënoi dhunën ndaj grave dhe përkujtoi se nëse duam botë më të mirë, duhet t’i trajtojmë femrat me dinjitet.
“Gratë janë burimi i jetës. Megjithatë, ato rrihen, keqtrajtohen, detyrohen të prostituojnë, apo edhe të ndërpresin jetën e frytit që mbajnë në trupin e tyre. Çdo dhunë ndaj gruas është përdhosje e Jezusit që lindi nga një grua. Sa herë trupi i femrës është sakrifikuar në altarin profitabil të reklamimit dhe pornografisë. Femra duhet të çlirohet nga konsumatorizmi, duhet të nderohet dhe respektohet. Nëse duam një botë më të mirë, duhet të kujdesemi për dinjitetin e secilës grua. Gruaja është një dhuruese dhe ndërmjetëse e paqes dhe ajo duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Kur grave u mundësohet të japin dhuratat e tyre, bota është më e bashkuar dhe më shumë në paqe. Një arritje nga gratë është një arritje për gjithë njerëzimin.”,- tha Papa Françesku.
Mesazhi i tillë i Papës vjen një ditë pasi kreu i kishës katolike e gjeti veten në një situatë të palakmueshme teksa qëlloi në dorë një besimtare të ekzaltuar e cila e tërhoqi Papën pak më me forcë sesa duhej.
Ai kërkoi ndjesë për veprimin teksa bëri rrëfimin tradicional para besimtarëve. Durimi është dashuri ndonjëherë ne e humbasim durimin siç më ndodhi edhe mua, e unë u kërkoj ndjesë për shembullin e keq që dhashë, tha Papa. (Flutura Latifi, TVM2)
