Hyrje e mbarë në Vitin e Ri, janë binjakë bebet e para të 2020-s

01.01.2020 17:05

Lindën më herët se duhet, por ia vlejti...

Lindën më herët se duhet, por ia vlejti. Djali dhe vajza e familjes Runtevi janë bebet e para për 2020-n. Anastasia lindi 1 sekondë pas mesnate e peshon 2 kg e 360 gramë, ndërsa Gabriel dy minuta më vonë, me peshë prej 1 kg e 760 gramë. Të dy bebet janë mirë, bashkë me nënën e tyre.

“Binjakët kanë lindur 1 javë para kohe. Fëmijët e lindur para kohe janë luftëtarë të mëdhenj. Ata janë në gjendje stabile shëndetësore.”,- tha drejtoresha e klinikës Gjinekologjike Q. K. “Nënë Tereza”, Viktorija Jovanovska.

Bebet morën dhuratë një monedhë ari prej 6 gramësh nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe nga 20 mijë denarë nga Qyteti i Shkupit.

“Kemi një situatë specifike, të kemi binjakë. Kjo jetë e dyfishtë për secilin nga ne do të thotë dy herë më shumë lumturi, dashuri dhe gëzim në vitin në vazhdim.”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.                                                                                                             

“Unë jam veçanërisht e lumtur që kemi binjakë këtë vit dhe që të gjithë mund të ndajmë lumturinë tonë me prindërit e tyre. E para nga binjakët është një vajzë dhe pres që viti 2020 të jetë i suksesshëm, pozitiv dhe energjik për gratë.”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.

Vajzë është edhe foshnja e parë në Spitalin gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair që lindi 3 minuta pas mesnatës. Vajzë është edhe foshnja e parë në Tetovë dhe Manastir. Në Gostivar kanë lindur 3 fëmijë nga nëna të ndryshme, 1 vajzë dhe 2 djem.

“Është një vajzë me fat e cila ka filluar jetën e vet edhe na ka shënuar Vitin e Ri në qytetin e Tetovës, një vajzë e bukur e quajtur Melek. Ne iu uruam asaj dhe prindërve të vet një jetë të gjatë dhe të na shtohen më shumë fëmijë.”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Nga Ministria e Shëndetësisë premtuat kushte më të mira për 2020-n.

“Ministria e Shëndetësisë është në përkushtim të vazhdueshëm për përmirësimin e situatës në Qendrën Klinike të Gjinekologjisë, por edhe në të gjitha maternitet e tjera të vendit për të siguruar një kujdes shëndetësor për të gjithë fëmijët dhe nenat.”,- u shpreh zëvendësministri i Shëndetësisë, Armend Asllani.

Ky vit sot pritet të jetë i mbarë edhe në botë. Organizata e Kombeve të Bashkuara përllogarit se këtë 1 janar botës do t’i shtohen 392.078 fëmijë. Në nivel botëror, më shumë se gjysma e lindjeve të parashikuara më 1 janar do të ndodhin në tetë vende, si në Indi, Kinë, Nigeri, pastaj në listë radhiten: Pakistani, Indonezia, ShBA-të, Republika Demokratike e Kongos dhe Etiopia. OKB megjithatë tërheq vërejtjen për numrin e të porsalindurve që vdesin në muajt e parë të jetës. Gjatë vitit 2018, rreth 2.5 milionë fëmijë vdiqën në muajin e parë , sipas të dhënave nga UNICEF,  një e treta e foshnjave vdiqën në ditën e parë të lindjes. Shumica e vdekjeve mund të ishin parandaluar. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)