Festimet për Vitin e Ri, 60 mijë njerëz në sheshin e Shkupit
Me muzikë e fishekzjarre, Maqedonia e Veriut shënoi kapërcimin e viteve....

Me muzikë e fishekzjarre, Maqedonia e Veriut shënoi kapërcimin e viteve. Në Shkup, 60 mijë njerëz u mblodhën në koncertin e yllit ballkanas, Dino Merlin, në një atmosferë tejet festive.
Shkupi sivjet vërtetë u ngjau metropoleve botërore, të paktë në qendër, ku Uniterlendi ka qenë i hapur gjatë gjithë kësaj jave për të sjellë atmosferën e festave. Në ndërrimin e motmoteve qytetarët shprehën urimet më të sinqerta për shëndet, lumturi dhe suksese për të gjithë në 2020-n.
“Të ketë paqe në Maqedoni, në Ballkan, si dhe fati dhe dashuria të mbizotërojë tek njerëzit.”,- u shpreh një qytetar.
“Kam ardhur nga Mali i Zi dhe jam i impresionuar nga Maqedonia, dëshiroj fat dhe lumturi për të gjithë në 2020-n.”,- tha një qytetar.
“Shëndet, lumturi dhe asgjë më tepër, mendoj se kjo na mjafton.”,- theksoi një qytetar.
Festimet nuk përfunduan në orët e para të mëngjesit. Banorët e Debar Maallos, lagjes më të njohur të Shkupit, kanë një traditë të veçantë që daton që nga viti 1928. Kumbari i festimeve këtë vit ishte gazetari sportiv i RTVM-së, Toni Stojanovski.
“Ju dëshiroj plotësimin e të gjitha aspiratave dhe gjithsesi tradita jonë do të vazhdojë të kultivohet në një prej lagjeve më të njohura në Shkup.”,- deklaroi kumbari i Vitit të Ri, Toni Stojanovski.
Ata që nuk ishin në shesh, festën e shënuan nëpër lokale apo me familjen. Fishekzjarre nuk u ndezën vetëm zyrtarisht, edhe përkundër paralajmërimeve, shumë qytetarë dolën në ballkonet apo oborret e shtëpive të tyre për të ndezur fishekzjarre, duke kontribuar kështu në zhurmën dhe ngjyrat festive që karakterizojnë çdo vit të ri. (Rexhep Qamili, TVM2)
