Maqedoni

Spasovski: VMRO-DPMNE të propozojë kandidat të ri për MPB-në

01.01.2020 17:32

Ministri i Punëve të Brendshme, njëkohësisht kandidat për kryeministër i Qeverisë teknike...

Ministri i Punëve të Brendshme, njëkohësisht kandidat për kryeministër i Qeverisë teknike, Oliver Spasovski, është i bindur se qeveria teknike do të zgjidhet më 3 janar. Qëndrimi i LSDM-së për kandidatin e opozitës për ministër të brendshëm nuk ka ndryshuar. “Kushtetuta duhet respektuar”, - ishte i prerë Spasovski. Sipas tij, që zgjedhjet të mbahen më 12 prill, qeveria teknike duhet të zgjidhet më 3 janar, prandaj është optimist se VMRO-DPMNE do të propozojë një kandidat të ri.
 
“Qëndrimi se Kushtetuta duhet respektuar është qëndrim që duhet ta respektojnë të gjithë. Qeveria teknike duhet të zgjidhet më 3 janar pasi zgjedhjet duhet të mbahen më 12 prill. Mendoj se VMRO DPMNE do të propozojë kandidat të ri dhe së bashku do të hyjmë në atë qeveri kalimtare, e cila duhet të përfundojë të gjitha procedurat deri në zgjedhje.”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Spasovski: Reformat do të vazhdojnë edhe në 100 ditë
 
Edhe pse qeveria kalimtare ka mandat organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, Spasovski konsideron se edhe në këtë periudhë 100 ditore, deri në zgjedhje, përkatësisht deri në zgjedhjen e qeverisë politike, të vazhdojë procesi i reformave.
 
“Jemi të gatshëm të vazhdojmë me dinamikën e njëjtë dhe përkushtimin që të punojmë për qytetarët edhe në periudhën parazgjedhore, pasi Maqedonia nuk guxon të lejojë që të ndalojnë projektet, të ketë ngecje në reformat dhe në zhvillim, përkundrazi duhet të ecim përpara me energji për të qytetarët dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë publikuar emrat e ministrave dhe zëvendësministrave plotësues për qeverinë teknike. Emri i vetëm që kontestohet nga LSDM është kandidati i VMRO DPMNE-së për ministër të punëve të brendshme, koloneli Dragan Kovaçki, pasi propozimi është në kundërshtim me kushtetutën.   
 
SHPËTIM NUREDINI