Filharmonia e Vjenës, koncerti i Vitit të Ri - kartolina festive e 2020-s

01.01.2020 18:50

Viti i Ri 2020, edhe sivjet filloi drejtpërdrejt në mbi 90 transmetues televizivë....

Viti i Ri 2020, edhe sivjet filloi drejtpërdrejt në mbi 90 transmetues  televizivë të botës me koncertin e famshëm të Filarmonisë së Vjenës, midis tyre edhe TVM2.

Ishte dirigjenti i ri, Andris Nelsons, me origjinë letoneze që u ngjit për herë të parë në pultin e dirigjentit në Koncertin e Vitit të Ri. Nelsons, së bashku me bordin e Filharmonisë, kishin zgjedhur një program të pasur dhe të këndshëm nga repertori i dinastisë  Shtrauss si edhe bashkëkohësit e tyre.

Trupa e baletit shtetëror të Vjenës  vallëzoi nën tingujt e Filharmonisë, ku midis të tjerash interpretoi edhe 12 kondra dancet e kompozuara nga Betoven.

Një ngjarje e përfshirë në program ishte edhe 150 vjetori i ndërtesës Musikverein, ku vazhdon te mbahet koncerti edhe sot.

Gjatë intervalit midis dy pjesëve të koncertit u shfaq filmi dokumentar “Muzika e humbur”, kushtuar 250 vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh, Ludvig Van Betoven.

Hijeshia e Sallës  së Artë në ndërtesën Muzikeverein, zbukuruar nga lulet e freskëta, pamjet nga vende historike të Vjenës dhe atmosfera festive, përcollën frymën e shpresës, miqësisë dhe paqes në tërë botën.                                                   

Si gjithmonë, koncerti u  mbyll me valsin e Danubit dhe Marshin e Radeskut. (Merita Çoçoli, TVM2)