Maqedoni

Procesi eurointegrues: 2020-a, vendimtar për Ballkanin perëndimor

02.01.2020 15:23

Ballkani Perëndimor i ka sytë drejt Brukselit, pasi pritet që viti 2020 të jetë "vendimtar" për rajonin....

Pritet që në janar, Komisioni Europian të propozojë metodologjinë e re për zgjerimin e Unionit dhe deri në Samitin e majit në Zagreb, BE të hartojë një plan efikas për procesin e zgjerimit. Por, hezitime ka jo vetëm nga Franca, por edhe nga shtete të tjera për këtë proces, për shkak të problemeve të brendshme politike, pasi Unioni tashmë ka edhe problemin e daljes së Britanisë së Madhe në fund të janarit nga Bashkimi Europian. 
 
Komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi, e ka bërë të qartë se është pro përshpejtimit të procesit të afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Në një intervistë në dhjetor për “Deutsche Velen”, Varhelyi  pohon se Komisioni Evropian do të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  
 
“Së pari, fuqimisht do të përshpejtojmë reformat në të gjitha vendet e rajonit. Këto reforma duhet të manifestohen në terren dhe të mundësojnë zhvillimin ekonomik dhe një jetë më të mirë për qytetarët, që mundëson edhe afrimin me BE-në",- pohon eurokomisioneri, sipas të cilit, me rëndësi është që vendimi pozitiv të merret shumë kohë para Samitit të Zagrebit.
 
Plani, sipas komisionerit është që fillimisht të përshpejtohen fuqishëm reformat në të gjitha vendet e rajonit, të cilat duhet të manifestohen edhe me zhvillimin ekonomik dhe një jetë më të mirë për qytetarët e këtyre vendeve. Po ashtu, sipas tij, procesi duhet të jetë më objektiv, për të hequr shqetësimet e disa vendeve. Por, megjithëse përfaqësuesit e institucioneve evropiane kanë dhënë sinjale se në pranverë mund të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, asgjë nuk është saktësuar, prandaj marrë parasysh dëshpërimin që shkaktoi mosmarrja e datës vitin e kaluar, zyrtarët në Shkup dhe Tiranë tanimë janë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre se kur pritet fillimi i bisedimeve me BE-në. 
 
REXHEP QAMILI