Ekspertët: Rritja e pagave, proces pozitiv kur ka arsyeshmëri ekonomike

02.01.2020 16:15

Çdo rritje e pagës minimale është një sinjal pozitiv për rritje të fondeve.....

Çdo rritje e pagës minimale është një sinjal pozitiv për rritje të fondeve, vlerëson profesori universitar, Sami Bislimi.

Ai pret që në vitin 2020 krahas rritjes së pagës minimale, në mënyrë proporcionale të rriten edhe pagat tjera. Punëdhënësit e kanë të vështirë gjetjen e fuqisë punëtore, prandaj sipas profesorit Bislimi, kjo do të detyrojë punëdhënësit për rritje të rrogave.

“Objektivisht, edhe pagat tjera duhet të rriten, sepse duhet të ketë proporcion mes mundit të thjeshtë dhe mundit të nivelit më të lartë. Për shembull nuk mundet të rritet paga minimale në 14.500 denarë, kurse rrogat tjera të jenë 15.000 denarë. Çka fitojmë ashtu? Përfitojnë vetëm ata që janë me rrogë minimale. Kështu që unë shpresoj që do të ketë rritje të pagave edhe të punonjësve tjerë dhe ashtu sikur që është proporcioni, do të ndikojë edhe në rritjen e niveleve tjera të rrogave.”,- tha profesori universitar, Sami Bislimi.

Profesori Bislimi vlerëson se rritja e rrogave është proces pozitiv, por vetëm kur ka arsyeshmëri ekonomike. Çdo rritje e pagave, sipas tij, duhet të përcillet me rritjen e projektivitetit të punës.

“Kjo rritje e pagave dhe kontributeve sociale nuk është rezultat i rritjes së produktivitetit të punës. Nëse themi se viti kalendarik i 2019-s do të përfundojë me një rritje ekonomike prej 3.6%, kurse rritja e numrit të të punësuarve të rinj është 2.9%, atëherë kemi rritje minimale të produktivitetit, a rritja e produktivitetit është indikatori kryesor për të parë potencialin e ekonomisë së vendit.”,- theksoi profesori universitar, Sami Bislimi.

Me fillimin e këtij viti paga minimale do të jetë 14.500 denarë. Që prej këtij muaji gjithashtu 320.000 pensionistë do të marrin pension më të lartë për 700 denarë, kurse mbi 32.000 edukatorë pagë më të lartë për 10%.

Prej muajit shkurt pritet që edhe rreth 15.000 punonjës shëndetësorë të marrin paga më të larta. (Ersan Pajaziti, TVM2)