Osmani: Rajoni pret shumë nga kryesimi i Kroacisë me BE-në
Vendet e rajonit presin shumë nga kryesimi i Kroacisë me Unionin Evropian...

Vendet e rajonit presin shumë nga kryesimi i Kroacisë me Unionin Evropian. Kështu ka theksuar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili ka realizuar një takim pune me ambasadoren e re të Republikës së Kroacisë në vend, Nives Tiganj.
Sipas tij, kjo periudhë mund të jetë kyçe për vendet e rajonit për sa u përket integrimeve evropiane.
“Republika e Kroacisë vazhdimisht ka shprehur mbështetje të qartë për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në përgjithësi mbështetje për historinë evropiane të Ballkanit Perëndimor. Pritjet me të vërtetë janë të mëdha dhe ne jemi të vetëdijshëm se Kroacia do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që ta mbajë procesin e zgjerimit lart në agjendën e BE-së, si pjesë e mbështetjes në përgjithësi drejt rajonit, që tani më e konfirmuar me Samitin e paralajmëruar të BE-së në maj, tematikisht të përkushtuar për Ballkanin Perëndimor”,- ka theksuar Osmani.
Bashkëbiseduesit kanë riafirmuar mbështetjen e ndërsjellë dhe marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, për çka kanë shprehur besim se do të vazhdojnë të zhvillohen pozitivisht edhe në të ardhmen, thuhet në kumtesë.
Takimi i sotëm realizohet menjëherë pas marrjes së kryesimit të djeshëm me Këshillin e BE-së nga ana e Kroacisë, e cila do të kryesojë në gjashtë muajt e ardhshëm. (Naim Ramadani, TVM2)
