Të premten zgjidhet qeveria teknike, VMRO tërheq Kovaçkin dhe del me kandidat të ri

02.01.2020 17:55

VMRO-DPMNE ka propozuar Naqe Çulev për njeri të parë të MPB-së....

VMRO-DPMNE ka propozuar Naqe Çulev për njeri të parë të MPB-së. Çulev ka diplomuar në kriminalistikë dhe punon në Agjencinë për Zbulim. Ka të përfunduar trajnime në Britani të Madhe, Gjermani, Bullgari dhe vende tjera evropiane. Ai është kandidat i pranueshëm për LSDM-në.

“Me këtë propozim të VMRO-DPMNE-së nuk shkelet Kushtetuta, pasi nuk bëhet fjalë për person ushtarak dhe të uniformuar dhe nuk është nën hetim. Me këtë plotësohen kushtet që propozimi të shkojë në votim në Kuvend, bashkë me Qeverinë teknike, e cila duhet t’i realizojë zgjedhjet e 12 prillit”, thonë nga LSDM.

Para propozimit që Naqe Çulev të jetë ministër i brendshëm në Qeverinë teknike VMRO-DPMNE tërhoqi kandidaturën e kolonelit Dragan Kovaçki, për këtë post. Hristian Mickoski paralajmëroi kandidat të ri.  

“Në mëngjes patëm edhe një bisedë telefonike me Zaevin, u përpoqa ta bind që të mos jenë hipokritë dhe nëse, me të vërtetë, respektojnë ligjin dhe kushtetutën, të pranojnë emrin e kandidatit të propozuar. Por, mbetën në anën e frikës, hipokrizisë dhe dyfytyrësisë. Unë do të propozoj kandidat të ri. Bëhet fjalë për njeri, profesionist. Pres konsultime me z. Zaev i cili së shpejti duhet të kthehet në vend. Të bisedojmë edhe një herë. Të konsultohemi me z. Ahmetin, siç parashohin ligjet pozitive, dhe më pas do ta mësojë edhe opinioni.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

LSDM: Presim kandidat në harmoni me Kushtetutën

Por, LSDM ritheksuan qëndrimin se propozimi i parë i VMRO-së ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ftojmë Hristijan Mickovskin që të marrë përgjegjësi dhe të le të propozojë kandidat për ministër teknik për punë të brendshme në harmoni me kushtetutën dhe që nesër të formojmë qeverinë teknike. Më 12 prill, VMRO-DPMNE e pareformuar dhe Hristijan Mickovskin, i pret edhe një humbje e bindshme.”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Pas tejkalimit të dallimeve rreth ministrit të brendshëm, Qeveria teknike, me kryeministër, Oliver Spasovskin, duhet të votohet të premten para mesnatës. Paraprakisht kryeministri, Zoran Zaev, duhet të nënshkruajë dorëheqjen dhe t’ia dorëzojë Kuvendit, që të premten, më tre janar, të konstatohet shkarkimi i qeverisë politike dhe të zgjidhet qeveria kalimtare për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të dakorduara për më 12 prill. (Shpëtim Nuredini, TVM2)