Ekonomia gjatë 2019-s, LSDM: Vit i suksesit, vazhdon rritja e pagave

02.01.2020 18:10

Rritje të pagave edhe në 2020-n premtojnë socialdemokratët.....

Rritje të pagave edhe në 2020-n premtojnë socialdemokratët, të cilët vitin që lamë pas e cilësojnë si vit i sukseseve ekonomike. Duke u thirrur në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës, nga LSDM pohojnë se rroga mesatare në tetor të 2019-s është rritur për 3.7% më shumë në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2018.

“Do të vazhdojë rritja e pagave. Këtë muaj rrogat në shkollat fillore, të mesme dhe universitete rriten për 10%. Nga shkurti rroga më të larta do të marrin edhe të punësuarit e shëndetësisë. Krahas pagave rriten edhe pensionet për 900 denarë. Vazhdon edhe mbështetja në hapjen e vendeve të reja të punës. Për 2020-n janë parashikuar 1.3 miliard denarë për masa aktive dhe programe për punësim.”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Kosta Petrov.

VMRO: 70% e qytetarëve me paga nën mesataren

VMRO–DPMNE me vlerësim ndryshe shohin ekonominë e vendit. Sipas tyre, ekonomia po fundoset.

“70% e qytetarëve në vend marrin paga më të ulëta nga mesatarja. Papunësia e të rinjve është më e larta në Europë dhe rajon me 35%, përderisa në disa komuna arrin shifrat prej 80%”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Sipas VMRO-së opozitare, shteti po kalon ditë të zeza, pasi LSDM mban llogari vetëm për bizneset e saj. (Meral Ismaili, TVM2)