Athina shpalos qëndrimin zyrtar për çështjen e emrit
Vetëm një ditë pas përgënjeshtrimit të deklaratave të shefit të Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki, i cili akuzoi Greqinë...

Vetëm një ditë pas përgënjeshtrimit të deklaratave të shefit të Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki, i cili akuzoi Greqinë për mungesë dëshire në zgjidhjen e kontestit të emrit, Athina zyrtare ka rikonfirmuar pozicionet e saj të qarta për emër “Erga omnes” me përcaktim gjeografik.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë, thonë se qëndrimi i Athinës mbetet i njëjti, emër i përbërë me përcaktues gjeografik përpara fjalës “Maqedoni” dhe jo përpara fjalës “Republikë”, përdorim “erga omnes” në të gjitha përdorimet brenda dhe jashtë shtetit.
Ky qëndrim është ndërtuar prej vitesh dhe përsëritet në vazhdimësi në Kuvendin grek, si dhe në të gjitha takimet shumëpalëshe dhe dypalëshe.
MPJ-ja greke sqaron se e sheh të nevojshme të riafirmojë qëndrimin e saj, për shkak se siç thuhet në kumtesë “disa qarqe ekstreme bëjnë sikur nuk dinë gjë ose se janë të befasuar për pozicionin e Greqisë, të bërë të ditur nga ministri i Punëve të Jashtme gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.
Athina lë të kuptohet se edhe kjo referencë duhet përdorur në të gjitha rastet dhe jo vetëm në relacionet me institucionet ndërkombëtare, sepse ndryshe përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Qëndrimi i Greqisë është i qartë dhe i vetëm dhe çon në ndryshimin e kësaj situate, thuhet në fund të kumtesës së Ministrisë së Jashtme greke.
