Maqedoni
Pasaporta e përkohshme për Kamçevin, Josifovska: Për gjithçka vendosi Katica Janeva
03.01.2020 15:17
Ish prokurorja speciale, Elizabeta Josifovska, dëshmitare në rastin"Zhvatja"....

Ish prokurorja speciale, Elizabeta Josifovska, dëshmitare në rastin"Zhvatja", pranoi se më 2 maj 2019 nënshkroi mendimin për të dhënë pajtueshmëri për pasaportë të përkohshme për të dyshuarin në rastin “Perandoria”, Orce Kamçev, por këtë e ka bërë me urdhër të kryeprokurores speciale, Katica Janeva. Josifovska thotë se sjellja e mendimit në zyrën e saj përmes një bashkëpunëtori jo nga shefi i kabinetit të prokurores Janeva, është e pazakontë.
Edhe pse prokurorja, Lile Stefanova, kishte refuzuar ankesat e të dyshuarve për paraburgim, Janeva i ka thënë t’i përpunojë dhe t’u caktojë masa më të lehta. Stefanova nuk pranoi të ndërpritet procedura për rastin “Perandoria” dhe “Banka Postare”, por mendimi pozitiv nga Janeva ndikoi tek Gjykata e Apelit që zëvendësoi masën e paraburgimit në rastin "Perandoria" me masa më të lehta të sigurisë. Pranoi se vetëm kryeprokurorja speciale, Janeva, ka pasur njohuri për procedurat e tjera hetimore dhe parahetimore ndaj Kamçevit dhe se ish kryeprokurorja speciale ka mundur të arrijë marrëveshje sipas ligjit, me Kamçevin, sikurse edhe me të dyshuarit dhe akuzuarit e tjerë. Josifovska nuk deshi të japë sqarime për mediat përveç asaj që ka thënë në gjykim. Mbrojtja thotë se ajo ka vepruar sipas ligjit.
“Për gjithçka që u pyeta dhe e kisha të njohur u përgjigja në gjykatë. Më tepër nuk mund të përgjigjem.”,- u shpreh dëshmitarja, Elizabeta Josifovska.
“U tregua se asgjë jo të zakontë nuk ka pasur në veprimet e saj sa i përket kësaj lënde, si dhe asgjë jo e zakontë në veprimet në lëndën “Perandoria”.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Delo Kadiev.
Bojan Jovanovski iu ankua gjykatës: Kam marrë kërcënime për jetën
Janeva në dalje nga gjykata nuk deshi të komentojë asgjë. Bojan Jovanovski, i akuzuari i parë në rastin “Zhvatja”, alarmoi ndërkohë se ka marrë kërcënime për jetën e tij. Avokati i tij mbrojtës thotë se ka njohuri se edhe trupi gjykues punon me presion e për këtë janë alarmuar përfaqësuesit e bashkësive ndërkombëtare. Por, nuk deshi të sqarojë nga kush vijnë këto kërcënime.
“Çdo ditë ka kërcënime dhe presione, në këtë moment nuk do kisha treguar se prej kujt janë, por ka kërcënime të mos flas nga persona të jashtëm. Burgu i Shkupit nuk është i mbyllur hermetikisht dhe ai shumë mirë e di se nga kush merr kërcënime dhe si. Ky proces është më së paku juridik, është proces politik. Kërcënimet vijnë nga pozita të larta dhe nga gjithkush... Vijnë përmes ndërmjetësim, ndonjëherë edhe personalisht.”,- theksoi avokati mbrojtës i Bojan Jovanovskit, Sasho Dukovski.
Gjykimi për rastin “Zhvatja” do të vazhdojë më 20 janar me dëshmitarë të rinj.
FLORIJE BELULI KAMBERI
