Botë

Kosovë - rasti “Pronto”, shpallen të pafajshëm ish zyrtarët e akuzuar

03.01.2020 15:50

Të gjithë të akuzuarit për rastin “Pronto” në Kosovë, u shpallën të pafajshëm...

Të gjithë të akuzuarit për rastin “Pronto” në Kosovë, u shpallën të pafajshëm, pasi gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në 4 ndërmarrje publike.
 
“Trupi gjykues shpall këtë aktgjykim ndaj të pandehurve, Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziri, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi. Në emër të popullit, në kuptim të dispozitave të nenit 364 të paragrafit 1 dhe nënparagrafit 1, pika 3, lirohen nga akuzat për veprat penale për të cilat janë akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sepse nuk është provuar që të akuzuarit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen.”,- tha gjykatësi, Shasivar Hoti.
 
Avokati, Besnik Berisha, që mbron ish-ministrin, Besim Beqaj, tha se hetimi dhe aktakuza kanë qenë selektive dhe se Prokuroria nuk ka pasur guxim t’i intervistojë si dëshmitarë personat përgjegjës për punësime, e lërë më si të dyshuar.
 
“Kujtoj që cilado gjykatë që ka parësore interesin publik, s’besoj se do të luajë pingpong këtë lëndë, sepse nga dita kur është publikuar aktakuza edhe këta vet e kanë ditur se janë ngutur dhe kanë bërë ndjekje selektive dhe epilogu mund të vonojë, por prapë do të jetë i njëjti.”,- tha avokati, Besnik Berisha.
 
Nga Vetëvendosje thonë se ky vendim dëshmon edhe njëherë se shteti i Kosovës është i kapur. Për këtë rast ishin të akuzuar 11 persona për përfshirje në një skandal përgjimesh telefonike, që u bë i njohur si rasti “Pronto”, për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve.
 
ERSAN PAJAZITI