Maqedoni

“Zhvatja 2”, PNKOK dorëzon akuzën për 5 të dyshuarit

03.01.2020 16:38

Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar akuzë për rastin “Zhvatja 2”...

Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar akuzë për rastin “Zhvatja 2”, që ka të bëjë me hetimet lidhur me “Lidhjen Ndërkombëtare” të Bojan Jovanovskit. Ai ngarkohet se ka gënjyer se ka siguruar tokë shtetërore për ndërtimin e qendrës europiane për persona të moshuar dhe servis mobil me subvencione shtetërore. Dy biznesmenë, sipas prokurorisë, e kanë besuar. 
 
“Të dëmtuarit kanë paguar përmes një agjencie autoriale maqedonase shuma në vlera të konsiderueshme prej 719.905 dhe 233.821 euro, në kundërvlerë të denarit.”,- thuhet në sqarimin e Prokurorisë.
 
Jasna Mandiq dhe Hristina Bllazhevska me vetëdije e kanë ndihmuar Jovanovskin të përgatisë marrëveshjet, kanë marrë shumat e parave dhe ia kanë dorëzuar vetë kryetarit të Lidhjes Ndërkombëtare.
Deputetja, Frosina Remenski, është e akuzuara e tretë. Kryetarja e nderit e “Lidhjes Ndërkombëtare”, sipas Prokurorisë, ka shfrytëzuar autoritetin e saj tek biznesmenët e dëmtuar, në takimet ku e ka shoqëruar Jovanovskin.
 
“E dyshuara e tretë, me reputacionin dhe autoritetin e saj, e ka përkrahur të dyshuarin e parë në takimet me të dëmtuarit, duke i dhënë këshilla dhe udhëzime që të dëmtuarit të fitojnë besim në projektin eventual dhe paraprakisht të paguajnë vlerë të caktuar të parave dhe t’ia nënshkruajnë marrëveshjen.”,- thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
 
I akuzuari i pestë në këtë rast është babai i Bokit, Mile Jovanovski, që ka ndihmuar që paratë të futen në qarkullim përmes llogarisë së tij devizore ose duke i transferuar nëpër llogaritë e firmave. Ai ka edhe një akuzë tjetër  mbi vetë atë të armëmbajtjes pa leje kur në shtëpi policia i gjeti tre armë gjysmë automatike. 
 
REXHEP QAMILI