Maqedoni
Qeveria teknike, të drejtat dhe kompetencat e zëvendësministrave
03.01.2020 17:29
Kompetencat e ministrave, por edhe të zëvendësministrave të cilët zgjidhen në Qeverinë teknike....

Kompetencat e ministrave, por edhe të zëvendësministrave të cilët zgjidhen në Qeverinë teknike janë të ndryshme nga kompetencat e të njëjtëve në përbërjen e rregullt qeveritare. Ministri i Punëve të Brendshme mund të bëjë më së shumti 15 shkarkime apo sistemime, në nivel më të ulët apo më të lartë të bartësve të pozitave udhëheqëse në ministri, në pajtim me ligjin.
Mandati i zëvendësministrave plotësues zgjat prej ditës së zgjedhjes së tij deri në ditën e shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KSHZ-ja. Ligji parasheh zëvendësministri plotësues së bashku dhe në mënyrë të barabartë me ministrin të marrë pjesë në realizimin e kompetencave të parapara me Ligjin për Organizim të Punës së Organeve të Administratës Shtetërore.
Ministri dhe zëvendësministri plotësues janë të obliguar që menjëherë, e më së voni në afat prej një dite, ta miratojnë apo refuzojnë aktin në kuptimin e këtij ligji. Nëse akti apo dokumenti është nënshkruar vetëm nga njëri person, konsiderohet se i njëjti nuk prodhon veprim juridik.
Në rast të mospajtimit mes ministrit dhe zëvendësministrit plotësues në ministri, për ndonjë çështje juridike, financiare apo kuadrovike që ka të bëjë me organizimin e zgjedhjeve, KSHZ është e obliguar, në afat prej 24 orëve, të sjellë vendim dhe të njëjtin ta dërgojë në ministrinë përkatëse. Vendimi i KSHZ-së është përfundimtar.
Në rast të dyshimit të dalë nga veprimi i mundshëm joligjor nga ana e ministrit dhe/apo zëvendësministrit të tij plotësues, mund të parashtrohet padi në gjykatën kompetente.
Në rast se kontestohen procedurat dhe vendimet administrative, rreth tyre mund të parashtrohet padi në Gjykatën kompetente administrative. Në pajtim me ligjin, zëvendësministri plotësues ka të drejtë për qasje të pakufizuar në të gjitha aktet, dokumentet dhe informatat që janë në dispozicion edhe të ministrit.
Zëvendësministri plotësues ka të drejtë për këshilltarë të posaçëm dhe nëpunës kabineti, numri i të cilëve është ekuivalent me numrin e këshilltarëve të posaçëm dhe nëpunësve të kabinetit të ministrit, sipas Ligjit për Nëpunës Administrativë.
GAZMEND REXHEPI
