Maqedoni
Kuvendi konstatoi dorëheqjen e qeverisë Zaev
03.01.2020 18:10
Kuvendi konstatoi dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, dhe Qeverisë politike...

Kuvendi konstatoi dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, dhe Qeverisë politike të drejtuar nga ai për t’ia hapur rrugën Qeverisë kalimtare, me mandat për të organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit.
“Jam i njoftuar që kryetari i Qeverisë nuk do ta arsyetojë gojarisht dorëheqjen e parashtruar. Në bazë të Nenit 93, paragrafi 3 i Kushtetutës së RMV-së, dorëheqja e kryetarit të qeverisë e tërheq edhe dorëheqjen e qeverisë. Konstatoj që në bazë të nenit 220 të Rregullores së Kuvendit të RMV-së, kryetarit të qeverisë dhe qeverisë u pushon mandati.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Vendimi i kryeministrit Zaev për të mos arsyetuar dorëheqjen nuk u mirëprit nga opozita, e cila kritikoi qeverisjen e Zaevit në këto dy vjet e shtatë muaj, gjë që ngjalli reagimin e mazhorancës.
“Sot është dita kur Maqedonia dhe populli maqedonas do të çlirohet nga qeveria më e paaftë, më e korruptuar dhe pushteti më i kriminalizuar.”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
“Në fytyrë ju duket z. Micevski se edhe vetë nuk besoni në këtë që e thoni. Duket që VMRO-DPMNE ende nuk mund ta mësojë leksionin e vitet e kaluara dhe mendon se me fraza, gënjeshtra dhe sajime mund ta manipulojë popullin e vet.”,- u shpreh Jovan Mitrevski nga LSDM.
Dorëheqjen e qeverisë, kryeministri Zaev e paralajmëroi që në tetor të vitit të shkuar, menjëherë pas Samitit të Këshillit Evropian, i cili përkundër premtimeve nuk arriti konsensus të plotë që t’i caktojë datë për fillimin e bisedimeve Maqedonisë së Veriut. Dakordësia për zgjedhje të parakohshme u arrit në takim te presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski. Liderët politikë, njëzëri u pajtuan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill të vitit 2020.
SHPËTIM NUREDINI
