Vuçiq, anulon vizitën në Mal të Zi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq anuloi një vizitë private të planifikuar në Mal të Zi...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq anuloi një vizitë private të planifikuar në Mal të Zi, pasi dy shtetet së fundmi kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me një ligj për fetë, të miratuar në Podgoricë, i cili nga Beogradi sihet si diskriminim për Kishën Ortodokse Serbe.
Presidenti serb, Vuçiq njoftoi se nuk do të shkojë në Mal të Zi javën e ardhshme, ashtu siç kishte planifikuar, për shkak të shqetësimeve nga zyrtarët malazezë se prezenca e tij do të rriste më shumë tensionet dhe do të rrezikonte pavarësinë e vendit.
“Vendosa që mos të shkoj dhe për këtë vendim u pajtua edhe patriarku Irinej”, tha Vuçiq.
“Ne respektojmë pavarësinë e tyre”, shtoi ai.
Më herët, Vuçiq kishte deklaruar se do të vizitonte kishat serbe në Mal të Zi në Krishtlindjen Ortodokse që festohet më 7 janar.
Zyrtarët në Mal të Zi thanë se vizita e presidentit serb do të rriste më shumë tensionet në këtë vend.
Gjatë një konference për media Vuçiq akuzoi zyrtarët malazezë dhe zyrtarët perëndimorë se kanë nisur siç u shpreh ai një “fushatë histerike të gënjeshtrave”, që prej se ai kishte njoftuar se do të udhëtonte drejt Malit të Zi.
Ai tha se po e anulon vizitën për shkak të “përplasjeve” të mundshme që “do të mund të dëmtonin popullin serb në Mal të Zi”.
Mijëra huliganë kanë djegur flamurin e Malit të Zi dhe kanë sulmuar të enjten ambasadën e Malit të Zi në Beograd.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka shkruar në Twitter të premten se ajo që ka ndodhur në ambasadën në Beograd ka qenë një sulm ndaj pavarësisë së vendit të tij.
