Maqedoni
Ali Ahmeti: NATO dhe BE kryefjala e këtij mandati
29.09.2014 17:02
Ardhmëria e sigurt e Maqedonisë është integrimi në BE dhe NATO dhe BDI do të vazhdojë të mbetet e angazhuar në këtë rrug...

Ardhmëria e sigurt e Maqedonisë është integrimi në BE dhe NATO dhe BDI do të vazhdojë të mbetet e angazhuar në këtë rrugë, pasi kryefjala e mandatit të marrë nga qytetarët më 27 prill është integrimi euroatlantik i vendit. Kështu ka deklaruar lideri i integristëve, Ali Ahmeti, në shpalosjen e arritjeve të 100 ditëve të qeverisjes.
“Ky besim i madh i votuesve tanë është edhe udhërrëfyes për ne, sepse qytetarët besojnë dhe kërkojnë nga ne që ta shpijmë vendin në NATO dhe në Bashkimin Evropian sa më parë. Dhe pikërisht Brukseli dhe Uashingtoni, BE-ja dhe NATO-ja janë kryefjala e këtij mandati, duke mos lënë mënjanë as mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik. Por, integrimi euroatlantik është një proces i ndërlikuar nga që paraprakisht kërkon zgjidhjen e çështjes së emrit me fqinjin tonë jugor, Greqinë”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti ka përshëndetur angazhimin e drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar dhe ka inkurajuar intensifikimin e këtij angazhimi.
Pa asnjë dilemë shpreh bindjen se kjo do të ndodhë, ndërsa proceset e mëdha me të cilat përcaktohet e ardhmja e kombeve, kërkojnë kohë, përkushtim dhe durim, ka shtuar lideri i BDI-së, i cili pret mbështetje të plotë dhe shumë aktive për zgjidhjen e çështjes së emrit edhe nga përbërja e re e Këshillit të Evropës.
“Ne jemi të bindur që jemi shumë afër përmbylljes, por nevojiten biseda të drejtpërdrejta me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe zgjidhja do të arrihet. Suksesi i këtij procesi paraqet rrumbullakim të investimit tonë të përbashkët në Maqedoni, por do të relaksojë dukshëm edhe marrëdhëniet ndëretnike, si dhe zbatimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, do të kontribuon edhe në paqen, stabilitetin e qëndrueshëm dhe sigurinë në vend dhe rajon, por edhe në zhvillimin ekonomik”- tha Ahmeti.
Ahmeti uron që më 8 tetor, Komisioni për Zgjerim i Bashkimit Evropian të përsërisë rekomandimin për marrjen e datës për negociata dhe shpreson që samiti i dhjetorit të jetë shtytës për valën përfundimtare të negociatave midis Shkupit dhe Athinës.
Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, ka numëruar 100 projektet e realizuara në 100 ditët e para të qeverisë dhe mbi 500 të tjera që kanë filluar të realizohen. Një pjesë e këtyre projekteve janë në komunat kryesisht të banuara me shqiptarë, shtoi Xhaferi.
“Gjatë këtyre 100 ditëve, kemi vazhduar angazhimin tonë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e standardit të qytetarëve. Në fokus ka qenë zvogëlimi i papunësisë dhe hapja e vendeve të reja të punës. Janë ndërmarrë masa konkrete për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe kemi krijuar kushte nëpër zonat e lira ekonomike. Gjatë këtij tre mujorshi kemi investuar në tre zonat ekonomike edhe atë në Strugë, Tetovë dhe Kërçovë. Disa kompani të huaja kanë filluar investimet në këto zona, ndërsa disa të tjera pritet që të vijnë dhe investojnë në Republikën e Maqedonisë, përkatësisht në këto tre zona dhe kanë paralajmëruar hapjen e qindra vendeve të reja të punës”- u shpreh zëvendëskryeministri i RM-së, Musa Xhaferi.
Zëvendëskryeministri Xhaferi, ka numëruar edhe projektet e shumta infrastrukturore, si: ndërtimin e korridorit 8, fillimin e realizimit të projektit më kapital, ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër me vlerë prej 374 milionë euro, vazhdimin e ndërtimit të ujësjellësve në Tetovë e Likovë, investimet në arsim, renovimin dhe ndërtimin e disa shkollave fillore dhe të mesme, projektimin e kampusit universitar të USHT-së në Shkup, ku për herë të parë nga buxheti i shtetit do të ndahen rreth 30 milion denarë për Universitetin e Evropës Jug-Lindore.
Në kulturë janë ndarë mjete për vazhdimin e rekonstruimit të tërësishëm të Teatrit Shqiptar në Shkup, kanë përfunduar përgatitjet për fillimin e ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës.
Janë ndërmarrë të gjitha masat për fillimin e realizimit të fazës së dytë të projektit “Sheshi Skënderbeu” (10.5 milionë euro). Gjithashtu, Xhaferi ka numëruar edhe projektet në bujqësi, ambientin jetësor dhe në shumë resorë të tjerë të rëndësishëm për shqiptarët.
MEFAIL ISMAILI
