Botë

Australi, vazhdon të përkeqësohet gjendja nga zjarri

04.01.2020 19:28

Australia po përballet me një situate të jashtëzakonshme zjarri, për shkak të thatësisë dhe temperaturave të larta deri në 40 gradë celzius...

Deri më tani, si pasojë e zjarreve janë vrarë 23 persona dhe janë shkatërruar mbi 1,200 shtëpi në dy shtete në juglindje të vendit.

Autoritetet australiane thanë sot se më shumë se 1,000 kilometra katrorë janë djegur rreth parkut nacional në Ishullin Kangur, që gjendet në jugperëndim të Adelaide.

Ndërkohë policia tha se dy personat që humbën jetën në qytetin Parndana, gjendeshin në veturat e tyre, kur makinat morën flakë.

Parku nacional që është shkatërruar pothuajse plotësisht ishte shtëpi e kangurëve, koalave dhe iriqëve.

Qeveria australiane në Uellsi i ri jugor ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej shtatë ditësh, që u jep autoriteteve fuqi të evakuojnë me forcë popullatën, nëse rritet rreziku nga zjarret. 

Kryeministri australian Skot Morison sot deklaroi se Qeveria do të dërgojë 3.000 ushtarë rezervistë si ndihmë për shuarjen e zjarreve që e përfshinë pjesën juglindore të vendit.

“Kemi parë që kjo katastrofë po eskalon”, deklaroi Morison dhe shtoi se do të investohen rreth 14 milionë dollarë amerikanë për furnizimin e katër aeroplanëve të rinj kanaderë.

Sipas tij, shuarja e zjarreve është përgjegjësi e shtetit dhe e zjarrfikësve, por numri i madh i zjarreve kërkon edhe përgjegjësi kombëtare.

Ministrja e Mbrojtjes, Linda Rejnolds deklaroi se kjo është hera e parë në historinë e Australisë që të sistemojë ushtri për të ndihmuar gjatë përballjes me zjarret. 

Zjarret në Australi kanë filluar që nga muaji shtator por që janë intensifikuar gjatë javëve të fundit.