Trump: nëse Teherani sulmon ushtria amerikane do të godas 52 pozicione
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se ushtria amerikane ka identifikuar 52 “pozicione iraniane”...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se ushtria amerikane ka identifikuar 52 “pozicione iraniane” që do të sulmojë “shumë shpejt dhe shumë fuqishëm” nëse Teherani kryen ndonjë sulm në caqet amerikane, si shenjë hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani.
“Irani po flet me shumë guxim për sulmet ndaj disa aseteve të SHBA-së në shenjë hakmarrjeje për shkak se ne vramë liderin e tyre të terrorizmit, i cili sapo kishte vrarë një amerikan dhe plagosi disa të tjerë, për të mos përmendur edhe njerëzit e tjerë që ai kishte vrarë gjatë jetës së tij, përfshirë edhe kohëve të fundit qindra protestues iranianë”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Twitter.
Trump shtoi se Qasem Soleimani, që u vra nga një sulm me dron i kryer nga SHBA-ja, teksa po udhëtonte në Irak më 3 janar, kishte sulmuar ambasadën amerikane në Bagdad dhe po “përgatiste sulme të tjera në lokacione të ndryshme”.
“Irani, viteve të fundit ka sjell vetëm probleme. Le të shërbejë si PARALAJMËRIM se sulmet e Iranit ndaj çdo amerikani apo aseteve amerikane, ne kemi 52 lokacione iraniane (që përfaqësojnë 52 amerikanë të marrë peng nga Irani shumë vite më parë), disa në nivel shumë të lartë dhe të rëndësishëm për Iranin dhe kulturën iraniane”, tha Trump.
Irani është zotuar se do të hakmerret, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë veprim ushtarak. Në sulmin e 3 janarit, përveç liderit të Forcave elite iraniane Quds, Soleimanit, është vrarë edhe Abu Mahdi aë-Muhandis, zëvendëskomandanti i milicisë në Irak, Hashd Shaabi, milici kjo që mbështetet nga Irani.
