Maqedoni

Nënshkruhet marrëveshja për uljen e raomingut

29.09.2014 17:04

Maqedonia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshje për çmime pesë herë më të ulëta të shërbimeve në roaming...

Maqedonia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi  nënshkruan marrëveshje për çmime pesë herë më të ulëta të shërbimeve në roaming në rrjetet e celularëve publik për komunikim, sms dhe internet që do t’ua lehtësojë qytetarëve udhëtimin jashtë vendit.
 
Është rënë dakord që në periudhën e ardhshme të formohet trupi koordinues, që do të përcaktojë dinamikën për uljen e çmimeve në tre vitet e ardhshme. Autoritetet mendojnë se do të rrisin volumin e trafikut dhe presin që në operatorët të gjejnë partnerë e jo kundërshtarë.
 
“Operatorët tanë celularë nuk janë aq të kënaqur me këtë iniciativë, megjithatë e kuptojnë nevojën dhe meqenëse bashkëpunojmë shumë mirë viteve të fundit, ne do të kyçemi tani në punën  e  këtij trupi koordinues”- deklaroi zëvendësministrja e Shoqërisë Informative dhe Administratës në Maqedoni, Marta Arsovska-Tomovska.
 
“Ne do të hyjmë në një proces të ndryshimit të ligjeve, që do t’i definojnë çmimet maksimale në shërbimet e roamingut në të njëjtën mënyrë siç vepruan vendet e Bashkimit Evropian. Operatorët mund të ofrojnë çmime më të ulëta nëse dëshirojnë të luftojnë konkurrencën”- tha ministri i Komunikimit në Bosnjë, Damir Haxhiq.
 
Vendet e rajonit nuk heqin dorë nga kërkesat për raoming më të lirë, i cili do të vlejë edhe me vendet e Bashkimit Evropian, në kuadër të së cilës kjo masë është operative. Marrëveshja është e hapur, që do të thotë se në të ardhmen edhe Shqipëria dhe Turqia do të mund lirisht t’i bashkëngjiten kësaj nisme.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI