Maqedoni
Konferencë “Zbatimi i qasjes së lirë të informacioneve”
29.09.2014 17:07
Qasja e lirë deri te informacionet me karakter publik ndihmon që të fitojmë një trajtim më të mirë prej institucioneve...

Qasja e lirë deri te informacionet me karakter publik ndihmon që të fitojmë një trajtim më të mirë prej institucioneve, të kemi nëpunës shtetëror më efikas dhe një shoqëri të hapur ndaj qytetarëve. Kjo është konkluza e pjesëmarrësve në punëtorinë me temë “Implementimi dhe zbatimi i qasjes së lirë në informacione me karakter publik”.
Blerim Iseni, zëvendësdrejtor i Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik tha se punëtoria ka për qëllim këmbimin e përvojave dhe sigurimin e transparencës më të madhe nga institucionet shtetërore karshi kërkuesve të informacioneve.
“Këmbimi i përvojave në këtë drejtim po bëhet për perfeksionimin e mëtutjeshëm të legjislaturës së vendeve përkatëse, me qëllim të zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian sa i përket kësaj problematike, sepse në këtë drejtim ka nevojë që të përpunohet edhe më tej dhe të punohet në drejtim të sensibilizimit të opinionit dhe nxitjes së opinionit që të dërgojë kërkesa dhe të interesohen më shumë drejt funksionimit të institucioneve publike dhe shtetërore”- deklaroi zëvendësdrejtori i Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, Blerim Iseni.
Në Shqipëri dhe Kosovë, kompetencat për monitorimin dhe zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit i ka institucioni “Avokati i Popullit”. Praktika e këtyre dy shteteve flet se zbatimi i Ligjit për Qasje në Informacione me Karakter Publik has në vështirësi gjatë realizimit në praktikë.
“Tash së fundmi kemi rekomanduar pranë Ministrisë së Drejtësisë disa ndryshime në ligjin aktual, në mënyrë që ky ligj të jetë sa ma afër qytetarit, në mënyrë që ky ligj të zbatohet sa më mirë dhe të jetë në përputhje edhe me praktikat më të mira të vendeve të BE-së”- tha Fatëbardh Zenelaj, sekretar i përgjithshëm i Avokatit të Popullit-Shqipëri.
“Kosova, por edhe të gjitha shtetet e rajonit përfitojnë shumë nga kësi lloj konferencash, duke i shkëmbyer informatat, përvojat dhe sfidat që kanë rreth implementimit dhe zbatimit të ligjit”- u shpreh Valbona Puka,këshilltare e Avokatit të Popullit–Kosovë.
Pjesëmarrësit në këtë punëtori janë të mendimit se zbatimi i plotë i Ligjit për Qasje në Informacione me Karakter Publik, do të rrit besimin e qytetarëve ndaj punës së institucioneve.
SANIJE KASAMI
