Maqedoni

Behixhudin Shehapi takon piktorin Omer Kaleshi

29.09.2014 17:52

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, pranoi sot në kabinetin e tij piktorin e mirënjohur, Omer Kaleshin...

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, pranoi sot në kabinetin e tij piktorin e mirënjohur, Omer Kaleshin dhe dy  intelektualë të shquar, Jordan Plevnesh, dramaturg dhe ish-ambasador në Paris, si dhe Klime Korobar, kritik i artit. 
 
Gjatë takimit, Shehapi dhe piktori i njohur, Kaleshi, shkëmbyen mendime për veprimtarinë në fushën e artit pamor, si dhe shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë. 
 
Piktori Kaleshi, i kumtoi me këtë rast zyrtarit të kësaj ministrie për një nismë të tij fisnike. Është fjala për donacion të një numri të pikturave të mjeshtrit Kaleshi, që do të mund të realizohej edhe nëpërmjet intelektualëve të shquar, dashamirë të opusit të tij artistik, si dhe me Komunën e Çairit, e cila ka shpallur piktorin qytetar nderi. 
 
Sekretari shtetëror, Shehapi, i premtoi piktorit të madh shqiptar, Omer Kaleshit, se do të sigurojë, nëpërmjet një procedimi, një dhomë të përhershme për piktorin në njërën nga galeritë në Shkup.