LSDM: Mizrahi tregoi se nuk është gati të jetë ministre
LSDM akuzon VMRO-në se në qeverinë teknike....

LSDM akuzon VMRO-në se në qeverinë teknike ka propozuar kuadro që nuk e njohin punën dhe janë aty vetëm për të shpërndarë të pavërtetat e gatuara, siç thonë “Në kuzhinën e VMRO-DPMNE-së”.
Për vetëm 2 vite e gjysmë, LSDM arriti të sanojë shkatërrimin 11 vjeçar të sistemit të mbrojtjes sociale e përmes reformave sistemore siguroi ndihmën e duhur për 300 mijë qytetarë. Ministrja teknike nuk e njeh ligjin, por është aty për t’u bërë megafon i kreut të VMRO-së, akuzojnë nga LSDM.
“Ministrja teknike për punë dhe politikë sociale, pas vetëm dy ditëve punë tregoi paaftësi dhe demonstroi se nuk e njeh Ligjin e ri për Punë dhe Politikë Sociale. Ajo nuk e di se përgjegjësia për dhënien e mendimit për ndihmë sociale dhe mbështetje për përkujdesje të personit të tretë, përmes të cilës merret edhe ndihma, është shpërndarë në 15 komisione ekspertësh pranë shtëpive të shëndetit publik, që formohen nga ministria. Pikërisht kjo mënyrë zgjidhi problemin e krijuar nga VMRO-DPMNE.”,- tha Milan Zhivkoviq nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Sulmi ndaj Mizrahit, është gjuhë urrejtjeje
VMRO-DPMNE akuzon ndërkohë pushtetin se po përhap gjuhë urrejtje dhe antisemitizëm. Sulmi i funksionarëve të LSDM-së ndaj ministres, Rashela Mizrahi, në bazë fetare e etnike, vetëm sepse i përket komunitetit hebre, është shembull eklatant i gjuhës së urrejtjes, thonë nga VMRO.
“Aktivistja e të ashtuquajturit “Revolucioni laraman”, Vidana Boshkova Micevska, në stilin e Smailovic, e quajti VMRO-DPMNE një parti fashiste dhe Rashela Mizrahi një çifute që punon me nazistët. Këshilltari i Zaevit, Zoran Bojarovski që paguhet me paratë e popullit, në rrjetet sociale mbështet antisemitizmin dhe përhapjen e urrejtjes mes qytetarëve. Gjuha e urrejtjes që e përhap LSDM-ja në stilin e nacistëve të shekullit të kaluar duhet të përfundojë menjëherë.”,- tha Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO kërkojnë që kreu social-demokrat të kërkojë falje për gjuhën e urrejtjes të zyrtarëve të parisë së tij dhe të shkarkojë nga postet në qeveri dhe parti funksionarët që e përhapin këtë gjuhë.
Nëse LSDM nuk ndërmerr hapa drejt sanksionimit të gjuhës së urrejtjes, do të konsiderojmë se antisemitizmi dhe gjuha e urrejtjes mbështetet dhe udhëzohet direkt nga maja e LSDM-së, thotë opozita maqedonase. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
