Botë

Varroset Kasem Soleimani, vajza e tij kërcënon ushtarët amerikanë

06.01.2020 17:19

Tensionet vazhdojnë të jenë të larta mes ShBA-ve dhe Iranit pas vrasjes së gjeneralit iranian, Kasem Sulejmani....

Tensionet vazhdojnë të jenë të larta mes ShBA-ve dhe Iranit pas vrasjes së gjeneralit iranian, Kasem Sulejmani, në Bagdad javën e kaluar. Mijëra persona në Teheran dolën në rrugë për funeralin e gjeneralit 62-vjeçar, i konsideruar terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Lutjen e drejtoi lideri shpirtëror i vendit, Ajatollahu Ali Khamenei, i cili u përlot përpara arkëmortit të atij që konsiderohej si njeriu i vet më i besuar.
 
Irani është zotuar se do të “hakmerret ashpër” ndaj kësaj vrasje. Vajza e gjeneralit, Zeinab Soleimani, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara për “ditë të zeza”.
 
"Një i çmendur si Trump duhet ta kuptojë mirë se asgjë nuk ka mbaruar me vrasjen e babait tim. Për amerikanët po vijnë ditë të zeza. Ky krim i rëndë i kryer nga amerikanët shpreh frymën e kriminalitetit që mbulon të gjitha krimet e gjakderdhjes, veçanërisht në tokën e Palestinës.",- tha vajza e gjeneralit Soleimani, Zeinab Soleimani.
 
Trump: Kërcënimi - gabim historik, kujdes edhe Iraku
 
Këtë kërcënim, Trump e cilësoi si gabim historik. Ai madje i tërhoqi vërejtjen edhe Irakut pas miratimit nga ligjvënësit të rezolutës për dëbimin e të gjitha forcave të huaja nga Iraku. Trump kërcënoi Irakun me sanksioneve të ashpra, nëse vihen në jetë thirrjet e parlamentit për dëbimin e trupave amerikanë.
 
Irani kërcënon me pasurimin e uraniumit, BE kërkon zgjidhje të situatës me dialog
 
Shqetësuese edhe deklarata e fundit nga Irani se nuk do të veprojë më sipas kufizimeve të marrëveshjes bërthamore të nënshkruar me fuqitë botërore më 2015. Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe kanë kërkuar nga Irani që të zbatojë plotësisht marrëveshjen bërthamore dhe të tërheqë të gjitha masat që nuk janë në përputhje me të, thonë në një deklaratë të përbashkët Merkel, Macron dhe Johnson. Bashkimi Evropian bën thirrje për tejkalim të situatës me dialog. 
 
“Jemi shumë të interesuar për të gjetur një gjuhë të përbashkët që çështja të mos eskalojë, sepse eskalimi i situatës nuk është në interes të askujt. Eskalimi mund të sjellë dhunë, pasoja për popullatën dhe për tërë rajonin.”,- tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
 
Situata e përshkallëzuar mes dy shteteve ka alarmuar edhe NATO-n.  Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ka organizuar mbledhje të ambasadorëve të aleancës për të diskutuar krizën. Në lëvizje edhe krerët e shteteve. Turqia është ofruar si qetësuese e situatës. Kjo çështje do të diskutohet të mërkurën edhe në takimin mes presidentit Erdogan dhe atij rus, Putin, që do të mbahet në Ankara. Të shtunën Putin do të takohet dhe me kancelaren gjermane, Merkel.
 
ZEKIRJA MEXHITI