Botë

Thaçi takoi Kurtin. Thaçi: 48 orë Kurtit për t’u nominuar për kryeministër. Kurti: Shpejt do t’ia dorëzojmë emrin për kryeministër

06.01.2020 18:13

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, të realizuar në Presidencë, i ka dhënë atij 48 orë afat për t`u nominuar për kryeministër.
 
Këtë e ka bërë të ditur vet presidenti në një postim në facebook, ku ka theksuar se takimi me Kurtin ishte përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. 
 
"Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurtit kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marrë veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.",- theksoi presidenti Thaçi. 
 
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se takimi ishte konstruktiv dhe Thaçi i ka kërkuar që sa më parë të krijohet Qeveria.
 
“Në këtë takim disa minutash unë dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin për formimin sa më shpejtë të qeverisë, por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, por në bazë të kushtetutës ne duhet ta bëjmë këtë shkresë me shkrim. Dhe për këtë kërkesë do ta bëj edhe në kryesinë e VV-së dhe sa më parë t’ia dorëzojmë presidentit në mënyrë që ai sa më parë ta mandatojë kandidatin për kryeministër.”,- tha Albin Kurti nga VV.
 
Para takimit me presidentin Thaçi, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka dalë me një video mesazh, duke i kërkuar Lidhjes Demokratike që sa më parë të arrijë marrëveshje.
 
Kurti në video mesazh i ka bërë publike edhe propozimet e tij për ministra, përfshi edhe Blerim Rekën që propozohet për ministër të punëve të jashtme të Kosovës. 
 
“Nga Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë të Qeverisë - Haki Abazin, për ministre të Drejtësisë - Albulena Haxhiun, për ministër të Punëve të Jashtme dhe për Diasporë - prof. Blerim Rekën, për ministër të Financave dhe Transfereve - prof. Besnik Bislimin, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë - Rozeta Hajdari, dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit - Arben Vitia.”,- tha Albin Kurti nga VV.
 
Kurti ka kërkuar edhe nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, që t’i propozojë pesë emrat e kësaj partie për ministra.
 
I pyetur rreth shkarkimit të mundshëm të Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit për t’ia lëshuar këtë post LDK-së, Kurti tha se nuk ka kthim mbrapa, pasi më 26 dhjetor u konstituua Kuvendi.
 
GYLTENE SINANI