Botë

Jahjaga u kërkoi liderëve që në kuvend të gjejnë zgjidhjen

29.09.2014 18:12

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duket se nuk e ka zgjidhjen ashtu sikurse u raportua në medie, se vizita e saj në SHBA do të zgjidh gjithçka...

Madje, mediat shkuan aq larg, saqë thanë se ajo nga SHBA do të vijë me një zarf, ku aty do të dalë edhe emri i kryeministrit të ri të vendit.
 
Një burim i cili ka qenë i pranishëm në takimin e Jahjagës me njërin prej liderëve, i ka thënë gazetës “Blic” se Jahjaga ka kërkuar që deputetët të gjejnë vetë zgjidhjen.
 
“Zgjidhja është në Kuvend. Deputetët janë ata që duhet të gjejnë zgjidhjen, kjo ishte kërkesa e Jahjagës”- ka thënë ky burim.
 
Sipas këtij burimi, Jahjaga nuk ka përmendur as afate, as zarfe e as kryeministër konsensual.
 
“Krejt çka është biseduar në takimin që kemi pasur me Jahjagën është se duhet të gjendet një zgjidhje. Ajo ka thënë se zgjidhja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”- ka thënë ky burim i gazetës “Blic”.
 
Sipas këtij burimi, përfaqësuesit e SHBA-së kanë kërkuar nga Jahjaga që qeveria e ardhshme të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe që të themelohet sa më shpejt Gjykata Speciale.
 
Pas kthimit nga SHBA-ja, Jahjaga, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me liderët e partive parlamentare. Udhëheqësi i “Listës Serbe”, Aleksander Jabllanoviq, ka thënë se deputetët serbë do ta përkrahin kandidatin e PDK-së për kryetar të kuvendit nëse kjo parti siguron 52 vota. 
 
Ndërkohë, disa portale kanë raportuar se tashmë kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e kandidatëve të mundshëm për kryeministër konsensual.