Botë
Paralajmërimi i vizitës së pelegrinëve serbë, protesta në Gjakovë. “Ende nuk e dimë ku i kemi bijtë”
06.01.2020 18:39
Paralajmërimi i ardhjes së pelegrinëve serbë në Kishën ortodokse të Gjakovës...

Paralajmërimi i ardhjes së pelegrinëve serbë në Kishën ortodokse të Gjakovës, shkaktoi protesta të qytetarëve dhe Shoqatës “Thirrjet e nënave”, që kërkuan zbardhjen e fatit të 750 bijve dhe bijave të tyre të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Protestuesit kërkuan më shumë angazhim institucional dhe u bënë thirrje ndërkombëtarëve, që të kushtëzohet Serbia për kthimin e trupave të zhdukur dhe zbardhjen e të gjitha vrasjeve që ndodhën në këtë qytet gjatë luftës në Kosovë.
“Na kanë zhdukur fëmijët, 1500 të vrarë vetëm në komunën e Gjakovës, 750 konsiderohen të zhdukur. U bënë 21 dhe 750 trupa janë në Serbi, nuk i zhvarrosin dhe së paku me t’i kthejnë trupat e të na qetësojnë shpirtin.”,- tha Nysrete Kumanova nga Shoqata “Thirrjet e nënave”.
“Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër pelegrinëve serbë, por ne kemi qenë kundër kriminelëve që fshihen nën petkun e pelegrinëve serbë, prandaj duke e ditur se ata janë kriminelë, ne nuk mund t’i përballojmë këtu në Gjakovë.”,- theksoi protestuesi, Kasim Qerkezi.
Agron Binaku, i mbijetuari nga pushkatimi i para 21 viteve, ofrohet të ndihmojë organet e drejtësisë me emrat dhe mbiemrat e kriminelëve. Por, thotë se askush nuk e dëgjon.
“Serbinë e njoh shumë mirë, ka 20 vite që bëj padi kundër saj dhe asgjë nuk është bërë. Krimineli serb për momentin ndodhet në burgun e Nishit, por për një vjedhje që ka bërë në Beograd. Emri i tij është Predrag Ristic, i njohur në Gjakovë si Pexha. Ata na kanë ndarë nga kolona dhe na kanë dërguar për pushkatim.”,- tha i mbijetuari i masakrës në Kosovë, Agron Binaku.
Policia e Gjakovës thotë se nuk ka pasur paralajmërime zyrtare për ardhjen e serbëve, megjithatë protestuesit kanë të drejtë për protestë dhe kjo iu është mundësuar.
Duke parë që pelegrinët serbë nuk po vijnë, protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
