Maqedoni
Kuvend, përmbyllet debati për amendamentet kushtetuese
29.09.2014 18:14
Debati publik rreth propozim-ndryshimeve kushtetuese u përmbyll me një debat të organizuar nga Kuvendi Republikan...

Propozuesi edhe një herë arsyetoi propozim-ndryshimet, me të cilat pretendohet pavarësim më i madh i gjyqësorit, aplikim i mekanizmave të reja për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, shkurtimi i të drejtave të qeverisë në politikat financiare dhe ndërhyrjet e tjera të parapara me shtatë propozim/amendamentet.
Me heqjen e anëtarëve sipas funksionit nga Këshilli Gjyqësor, nuk ndryshon asgjë, përveç se rritet pavarësia në gjyqësor, tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
“Nuk ndryshohet numri i anëtarëve, nuk ndryshohen edhe mekanizmat e inkorporuara në kushtetutën aktuale, por propozohet që në të ardhmen, pas miratimit, në përbërjen e këtij organi të mos ketë anëtarë në bazë të funksionit apo në bazë të pozitës”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Sa i përket propozimit për aplikimin e institucionit ankesë kushtetuese, vetë Gjykata Kushtetuese ka përshëndet këtë propozim-ndryshim, duke e cilësuar si mundësi ligjore shtesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Gjykata Kushtetuese vlerëson se me zgjerimin e kësaj kompetence të Gjykatës Kushtetuese, do të mundësohet që qytetarët të kenë “ilaç juridik” në të drejtën vendore para se t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për mbrojtjen e një liste të gjerë të lirive dhe të drejtave krahasuar me listën e deritanishme”- tha Nikolla Ivanovski nga Gjykata Kushtetuese.
Debati për ndryshim e aktit më të lartë ligjor ndodh në mungesë të opozitës në përgjithësi. Për analisten, Tanja Karakamisheva, kjo nuk përbën asnjë shqetësim.
“Dua të përmend se asnjë kushtetutë në botë dhe asnjë amendament kushtetues nuk është miratuar me pajtim 100% të qytetarëve, aq më pak nuk është miratuar me 100% pajtim të të gjitha subjekteve politike që funksionojnë në kuadër të sistemit politik dhe kushtetues”- u shpreh analistja, Tanja Karakamisheva.
Vërejtje për ndryshimet kushtetuese kishte përfaqësuesja e Komitetit të Helsinkit, e cila vlerësoi se ndryshimet kushtetuese po miratohen në momentin më të papërshtatshëm politik, në mungesë të opozitës dhe përfshirjes selektive në debatin publik.
SHPËTIM NUREDINI
