Botë

Konflikti i mundshëm me Iranin, Pentagoni: Do t’i respektojmë ligjet e luftës

07.01.2020 12:43

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, la të kuptohet se ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk do t’i sulmonte lokacionet kulturore të Iranit...

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, la të kuptohet se ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk do t’i sulmonte lokacionet kulturore të Iranit, edhe pse ato janë përmendur si shënjestra të mundshme nga presidenti Donald Trump.
 
“Ne do t’i respektojmë ligjet e konfliktit të armatosur”, tha Esper gjatë një konference për media në Pentagon.
 
I pyetur nëse i përjashton sulmet ndaj lokacioneve kulturore, Esper tha: “Këto janë ligjet e konfliktit të armatosur”.
 
Sugjerimet e Trumpit se SHBA-ja mund të godasë lokacionet kulturore të Iranit kanë shkaktuar alarm në Iran dhe më gjerë.
 
Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Uatch ka thënë se sulmet e tilla do të përbënin krime lufte.
 
Ngjashëm është shprehur edhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.
 
Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e mbështetur nga administrata Trump në vitin 2017, i konsideron sulmet në vendet kulturore “krim lufte”.
 
Konventa e Hagës për Mbrojtjen e Pronës Kulturore, e vitit 1954, gjithashtu i konsideron sulmet e tilla krim lufte.
 
Irani ka 22 lokacione kulturore në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
 
MIGENA GORENCA