Ekonomi

Qeveria teknike dhe zgjedhjet, Iseni: Vit sfidues, ngecje në investimet kapitale. Qeveria nuk pret ngecje, Bytyqi: Ekonomia është bërë imune ndaj zgjedhjeve

07.01.2020 15:16

Qeveria teknike dhe organizimi i zgjedhjeve ngjall pasiguri te bizneset, vlerëson sektori privat...

Nga OEMVP për TVM 2 thonë se sektori i biznesit do të ketë hezitim të investojnë për shkak të paqëndrueshmërisë politike.
 
Sipas drejtorit ekzekutiv të kësaj ode, sektori privat pritet “të marrë frymë më lehtë” gjatë tremujorit të tretë të vitit, por kjo, sipas tij, është shumë vonë për të ndikuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. 
 
“Sipas parashikimeve tona, do të jetë vit shumë sfidues, për faktin se kemi qeveri teknike që nga fillimi i vitit. Realisht pritjet janë që ndonjë lëvizje reale të ndodh më në kuartalin e tretë që është shumë vonë. Do të jetë vit shumë sfidues për faktin se do të ketë ngecje në investimet kapitale. Bizneset do të hezitojnë të realizojnë projektet investuese për faktin se nuk ka qëndrueshmëri institucionale dhe politike.”,- tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.
 
Nga ana tjetër, këshilltari ekonomik në qeveri, Fatmir Bytyqi, nuk pret që kjo periudhë të stagnojë ekonominë e vendit.
 
Gjitha punët në rrafshin ekonomik, sipas tij, do të rrjedhin sipas asaj që është planifikuar. Turbulenca të vogla eventuale, sipas Bytyçit, mund të ketë vetëm pas procesit zgjedhor deri në krijimin e institucioneve. 
 
“Si duket ekonomia po bëhet imune ndaj zgjedhjeve dhe ajo po vazhdon me zhvillimin. Ajo çfarë ne shpresojmë është se periudha e zgjedhjeve është në prill dhe mendoj që është fillimi i vitit edhe nuk do të ketë ndikim të madh në ekonominë. Zgjedhjet në 2020 nuk do kenë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe në vazhdimin e trendeve pozitive në ekonomi. Gjithsesi, mund të ketë një efekt nëse pas zgjedhjeve periudha e krijimit të qeverisë zgjat pak më shumë, atëherë mund të presim pak ca turbulenca, por unë mund të them se situata do të jetë pak sa më e qartë se në zgjedhjet e 2016-s.”,- tha këshilltari ekonomik i kryeministrit, Fatmir Bytyçi.
 
Qeveria teknike u zgjodh më 3 janar dhe do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë politike, e cila do të krijohet pas zgjedhjeve parlamentare.
 
Sektori i biznesit apelon që krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur, që mos të dëmtohet ekonomia. 
 
ERSAN PAJAZITI