Festohet Krishtlindja, politika me urime për qytetarët ortodoksë
Në ditën e Krishtlindjeve ortodokse nuk kanë munguar urimet nga krerët e politikës....

Në ditën e Krishtlindjeve ortodokse nuk kanë munguar urimet nga krerët e politikës. Presidenti Pendarovski nga qyteti i Ohrit ua uroi festën të gjithë besimtarëve ortodoksë, duke u dëshiruar më shumë shëndet, lumturi, fat dhe dashuri gjatë këtij viti.
“Dëshiroj të gjithë besimtarëve ortodoksë në vend t’ua uroj këtë festë, njëra prej festave më të mëdha në krishterim – Dita e Lindjes së Krishtit dhe t’u uroj që këto ditë festive t’i kalojnë me më të afërmit e tyre, me familjet e tyre në paqe dhe qetësi.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, të cilit i ra edhe monedha e Krishtlindjes pas një kohe të gjatë, uroi për paqe, stabilitet e mirëkuptim mes të gjithëve.
“Kjo është festë e ndershmërisë dhe hapave të guximshëm, festë e aktiviteteve në vepër dhe pikërisht përmes kësaj feste mund të njihemi mirë se çfarë mund të bëjmë më mirë për vete dhe shtetin tonë.”,- tha kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
Kreu i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, porositi qytetarët të festojnë se fitorja është afër.
“Pas nesh lamë një vit të dështimeve, ndërsa tani vjen vit i fitoreve. Mesazhi im për besimtarët ortodoksë, por edhe të gjithë qytetarët tjerë, është që të respektohen, kuptohen dhe të duhen mes veti.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Besimtarëve ortodoksë urime për festën e Krishtlindjeve u dërgoi edhe kreu i integristëve, Ali Ahmeti.
“Krishtlindjet janë një festë e rëndësishme krishtere me të cilat kremtohet lindja dhe na bashkon në dëshirat e ndërsjella dhe të sinqerta për shëndet, sukses dhe mirëkuptim dhe respekt reciprok. Me shekuj festojmë, respektohemi dhe gëzohemi së bashku. Këtu jemi njëri për tjetrin, prandaj nga zemra Ju uroj shëndet, gëzim, paqe, qetësi dhe mirëqenie për Ju dhe familjet Tuaja”,- thuhet në urimin e Ahmetit.
Urim edhe nga Aleanca për Shqiptarët. “Qofshim të gjithë tolerantë në çdo ditë të vitit, si jemi për festa. Paqja dhe dashuria festive, mos mungoftë në asnjë ditë të vitit”,- thonë nga ASH. (Rexhep Qamili, TVM2)
