Qeveria e Kosovës, Lepaja: Afatizimi 48 orësh, jashtëkushtetues

07.01.2020 16:25

Tre muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit....

Tre muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, mandatari Albin Kurti është në përpjekje të formimit të qeverisë së Kosovës, pas ultimatumit 48 orësh të presidentit, Hashim Thaçi, për formimin e qeverisë.

Njohësit e së drejtës kushtetuese në Kosovë kufizimin e kohës së caktimit të emrit të kryeministrit e konsiderojnë si jashtëkushtetuese.  Analisti politik nga Kosova, Fadil Lepaja, për TVM2 thotë se në skenën politike të Kosovës po luhet një lojë politike dhe se qeveria do të formohet atëherë kur do të arrihen numrat e shumicës parlamentare.

“Zoti Kurti po insiston që koha nuk është e afatizuar dhe ai do ta paraqesë listën atëherë kur Lëvizja Vetëvendosje ta ketë një emër i cili është në gjendje ta formojë një qeveri e cila do t’i marrë numrat në kuvend. Presidenti Thaçi në këtë situatë po pretendon se kjo megjithatë mund të kufizohet nga ana e tij dhe ai e ka dhënë një afat 48 orësh për të cilën shumica e analistëve dhe njohësve të kushtetutës thonë se nuk ka bazë kushtetuese dhe se çështja e kohës së ofrimit të emrit të mandatarit në formë të shkruar, siç kërkohet, nuk është e kufizuar me kohë.”,- deklaroi analisti politik, Fadil Lepaja.

Koalicionimi i LV-së me LDK-në, i pamundur

Koalicionimi eventual i Vetëvendosjes me Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës, sipas Lepajës, është thuajse i pamundur. Sipas tij, një pjesë e LDK-së kundërshton ndryshimet në vend.

“Forcat konservatore të grupuara kryesisht rreth presidentit të Kosovës, po ashtu edhe një pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila në fakt përfaqëson grupe të ndryshme të interesit që lidhen me të shkuarën, si duket kanë hyrë në një fushatë të bllokimit të ndryshimeve në këtë vend. Kështu që po zhvillohet loja procedurale që Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja me gjasë të mos arrijnë të formojnë këtë qeveri.”,- tha analisti politik, Fadil Lepaja.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka publikuar propozimet për zëvendësministër të Kosovës si dhe emrat e pesë ministrave, përfshieë edhe Blerim Rekën që propozohet për ministër të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon procedurat për mandatim, disa anëtarë të kryesisë qendrore të LDK-së kundërshtojnë ashpër marrëveshjen me Kurtin. (Meral Ismaili, TVM2)